Partitë Popullore Europiane kanë reaguar sot për burgosjen e Fredi Belerit, duke bërë të vetën qëndrimin e Athinës se kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë duhet të betohet. Teknikisht kjo do të thotë se çështja «Beleri» është ndërkombëtarizuar.

Mbi këtë qëndrim kryeministri Edi Rama ka dalë me një koment që duhet konsideruar edhe qëndrimi zyrtar i qeverisë së tij. Dhe argumenti është ai që pritej : institucionet që kanë ndaluar dhe gjykojnë Belerin janë krijuar nga ShBA dhe BE. 

…Do të ishte vërtet tronditëse nëse Partia e madhe Popullore Evropiane do të miratonte një rezolutë të titulluar “Sundimi i Ligjit” për të kërkuar një rezultat të ndryshëm nga ai i vendosur nga Prokurori Special kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatat Speciale me të njëjtin emër.

Këto institucione u krijuan me mbështetjen e plotë nga BE dhe SHBA dhe ndihmohen nga afër nga SHBA dhe BE në punën e tyre mbresëlënëse kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Tingëllon kaq finoke, rrufjane madje. Megjithatë disa gjëra sikur çalojnë. 

Si fillim duhet thënë se dikush që është i bindur për drejtësinë e akuzës mbi informacionet që ka, nuk ka nevojë të kërkojë avokati te ShBA dhe BE. 

Së dyti, z. Rama po jep shenja se e ka tashmë problem këtë çështje dhe kaq mjafton për të kuptuar se pala greke do bëjë presion vazhdimisht për ta stresuar atë. 

Së treti pretendimi i z. Rama për pavarësinë e gjyqësorit dhe prokurorisë ngrihen mbi nje standard të dyfishtë. Është z. Rama që është artikuluar shumë ashpër ndaj procedurave të nisura ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, nga një prokurori që ka patur mbështetje ndërkombëtare. 

Së katërti, z. Rama është në krye të një qeverie, ish-zv.kryeministri i së cilës nuk dihet se çfarë statusi ka: i larguar, i arratisur de facto, apo i fshehur pas nisjes së hetimeve për të. 

Të gjitha këto janë fijet e një lëmshi që është mirëfilli politik, sepse politike është në nisje çështja «Beleri». Pakkush beson se ndalimi i tij nuk lidhet me ambiciet e z. Rama për të mbajtur në kontroll Himarën. Për pasojë, qëndrimi i PPE-së nuk futet në diskrecionin e akuzës, apo pretendimeve operative, por vë në dukje se një personi te zgjedhur po i mohohen të drejtat. 

Një hap na ndan nga njoftimi se Beleri është i burgosur politik, sikurse edhe për Arben Ahmetajn është përfolur azili politik. Në një eventualitet të tillë statusi i Shqipërisë si vend i sigurtë do të duhej të rishikohej dhe kjo do të kishte pasoja për të gjithë ne. Vetëm e vetëm për një veprim që ka fasadë politike dhe prapavijë ekonomike nga dikush që tani po kërkon daljen edhe pse me hundë të thyer. 

s.zaimi