Amazon hyn në biznesin e makinave. Nga viti i ardhshëm, gjiganti i shitjeve online do t’u japë mundësinë prodhuesve të makinave të shesin automjetet e tyre përmes faqes së saj. E para që do të provojë të shesë makinat e saj online është koreano-jugorja Hyundai.

Në shitje, klientët e Amazon do të gjejnë edhe produkte makinash, si pjesë këmbimi.

Duke filluar nga viti 2024, blerësit e interesuar për makina do të vizitojnë katalogët online në Amazon dhe pas përzgjedhjes, mjeti do t’u dorëzohet te dera nga shitësi lokal.

CEO i Amazon, Andy Jassy, tha se partneriteti me Hyundai do të ndryshojë "lehtësinë me të cilën klientët mund të blejnë automjete në internet". Si pjesë e marrëveshjes, Hyundai do të përfshijë edhe asistentin zanor Alexa të Amazon në makinat e tij duke filluar nga viti 2025.

Ky opsion i ri ndikoi menjëherë në bursë. Aksionet e shitësve të makinave të përdorura si Carmax  dhe Carvana, por edhe të makinave të reja Lithia Motors dhe AutoNation, ranë menjëherë me 6%

Pavarësisht kësaj risie, kompania që tregton makinat mbetet shitësi fundor. Prodhuesit tradicionalë të automjeteve si Hyundai kanë marrëdhënie komplekse me tregtarët që mbështeten, në shumë shtete, nga ligje që e bëjnë të vështirë ose të paligjshëm anashkalimin e tregtarëve ekskluzivë dhe shitjen e automjeteve të reja drejtpërdrejt te konsumatorët.

Tesla dhe kompani të makinave elektrike si Rivian kanë gjetur zgjidhje të tjera për të shitur automjete direkt në internet tek konsumatorët.