Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u paraqit sot në SPAK gjysmë ore para orarit të përcaktuar për të dhënë deklarime lidhur me koncesionin e sterilizimit.

Beqaj ka mbërritur në organin e akuzës i shoqëruar nga dy avokatët e tij.

Dy ditë më parë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit caktoi ndaj Beqajt masën e sigurisë detyrim paraqitjeje dhe vendosi ndalimin e largimit të tij jashtë vendit.

Beqaj duhet të japë sqarime lidhur me dyshimet e akuzës për konflikt interesi dhe shpërdorim detyre, pasi rezulton se ka bërë udhëtime me biznesmenë që kanë fituar koncesionin e sterilizimit dhe ka fshehur njohjen me ta.

Të shtunën, pasi u njoh me masën e sigurisë, Beqaj deklaroi se do zbatojë vendimin e gjykatës dhe nuk do e ankimojë atë.

Tre muaj më parë, Gjykata e Posaçme kërkoi përfshirjen e Beqajt në grupin e të akuzuarve me arsyetimin se ka indicie që në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë në kohën kur u dha koncesioni me vlerë 100 milionë dollarë, ai ka paracaktuar fituesit, nuk ka ndalur konfliktin e interesit dhe ka bërë udhëtime me përfituesit e koncesionit.