BE do të vijojë të ndërmjetësojë dialogun Prishtinë-Beograd, por në takime të veçanta. I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak konfirmoi se diskutimet e ardhshme në Bruksel do të bëhen veçmas me kryenegociatorin e Beogradit dhe veçmas me atë të Prishtinës.

Lajçak thotë në profilin e tij në Facebook se në lidhje me ecurinë e procesit ka vënë në dijeni anëtarët e Komitetit të Çështjeve Evropiane të Bundestagut gjerman, të cilët kanë vizituar së fundmi institucionet e BE-së.

"Ne diskutuam për momentin e ri të zgjerimit të BE-së dhe i informova ata për gjendjen e ecurinë e dialogut dhe hapat e ardhshëm. Jam mirënjohës për mbështetjen e fortë të Gjermanisë për punën time, angazhimin e tyre në Ballkan dhe avokimin e tyre për të ardhmen e BE-së e të gjithë rajonit”, ka shkruar ai.

Lajçak thotë se është momenti që të çohet përpara integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor.