Asnjë shoqëri nuk mund të qëndrojë e paprekur kur gjysma e popullsisë së tij përbëhet nga pensionistë.

Kështu shkruan ndër të tjera në një opinon të vetin sot në “Kathimerini”, ministri grek për Krizën Klimaterike dhe Mbrojtjen Civile, Vassilis Kikilias. Teksa e hap shkrimin me faktin se edhe Konstandinopoja ra për shkak të një kolapsi pararendës demografik, Kikilias vë në dukje se situata e tanishme në Greqi, paralajmëron një krizë të ngjashme. Sipas tij, në vitin 2050, Greqia do të ketë 7.5 milionë banorë, një pjesë e madhe e të cilëve do të jenë pensionistë.

Kikilias shkruan se qeveria e tanishme greke e ka bërë prioritet menaxhimin e krizës demografike në vend, duke shtuar se për arsye historike, kulturore, por sidomos sociale, asnjë vend europian nuk mund ta trajtojë këtë krizë me imigrimin hyrës. Mbetet fuqizimi i familjes dhe rivlerësimi i vendit nga njerëzit, çka kërkon rishikim tërësor të mënyrës sesi politika drejton një vend dhe një shoqëri.

Shkrimi në fjalë vë në dukje një aspekt themelor për një shoqëri e që është rrudhja demografike dhe kërcënimi ekzistencial që pason. Është po ashtu me interes të shënohet se kriza demografike që lidhet kryesisht me plakjen e popullsisë, ka ardhur në vështrim publik dhe politik në të gjitha vendet e Europës, përfshirë edhe Serbinë fqinje që ka parashikuar incentiva financiare.

Vetëm në Shqipërinë e Edi Ramës kriza demografike që lidhet kryesisht me emigrimin dhe jo plakjen, i dedikohet lirisë së lëvizjes. Një rast i paprecedentë miopie dhe autodestruksioni që nuk faktorizon në analizat e veta rënien e pandalshme të popullsisë, paralajmërim ky i shpërbërjes së të gjithë treguesve identitarë dhe vetë politikave në fuqi. Ndodh kjo në një vend, historia e të cilit dëshmon se prirjet centrifugale janë ciklike dhe të qëndrueshme, për arsye historikisht të ndryshme, por që në kohën tonë lidhen kryesisht me keqqeverisjen dhe mallkimin e të jetuarit nën çadrën e banditit.

s.zaimi