Ka bjë diskutim histerik gati mbi një material të transmetuar nga Rai3 mbi protokollin Itali-Shqipëri për pritjen e imigrantëve. Paralel me materialin, Ina Media, që prezantohet si një media investigative me financim nga ShBA publikoi më datën 16 prill një material në qendër të të cilit është tjetërsimi i pronave në Vlorë. Personi kyç: Artur Shehu dhe në “prapavijë” si avokat Engjëll Agaçi, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë. 

Të dy materialet “bashkohen” në një: Engjëll Agaçin si “lojtar” në hije i pronave në Vlorë dhe kumbar i Protokollit Itali-Shqipëri. Në këtë rol, z. Agaçi vjen pas një karriere që cilësohet si “avokat i narko-trafikantëve shqiptarë” çka jep dy mesazhe: lidhja e trafikantëve të drogës me investimet në Bregdet pasuruar së fundmi me ndryshime të posaçme favorizuese të ligjit “Për Zonat e Mbrojtura” është në fakt lidhje biznesi me politikën qendrore në Tiranë, madje në nivelin më të lartë dhe tjetra se është ky pol që në të vërtetë ka ndërmjetësuar Protokollin për imigrantët.

Këto vijnë si mesazhe nga dy materialet. Tani në Shqipëri çështja është korrupsioni i Agaçit, të cilin në fakt ka dalë ta mbrojë kryeministri Rama dhe i cili në fakt, në një nga përgjigjet e publikuara nga gazetari i Rai-t, siguron një gjë:  ai nuk ka qenë avokat i Artur Shehut. Një lajthitje kjo taktike që në kontekstin e një pyetjeje me disa emra, nxit dyshimin mbi shqetësimet e z. Agaçi dhe rolit të tij. 

Në Itali çështja me gjasë merr karakter politik: a di gjë kryeministrja Meloni se kush ia ka përgatitur marrëveshjen me Shqipërinë ku do të derdhë 100 milionë euro çdo vit?

Një Sekretar i Përgjithshëm, që vjen nga karriera e avokatit të trafikantëve të drogës, që akuzohet se ka përdorur ish-zyrtarë të Guardia di Finanza për zhvatje pronash në Vlorë është padyshim një skandal. Mund të imagjinohet se çfarë zhurme mund të bëhet, ndërkohë që në planin juridik marrëveshja ka ende rrugë.

Në fakt ka interes jo të vogël të kuptohet negociimi në këtë rast, roli dhe informacioni i Melonit që në të dyja rastet, pra të dijenisë ose jo, ekspozohet si një figurë që njollos një marrëveshje me baltën e përjetshme të dyshimit se krimi nuk mungon asnjëherë në protokollet e Italisë. Nëse nuk ka ditur gjë, ose do luajë këtë rol, atëherë si mund të kalojë poshtë që “Shqipëria përdor Romën”?  Nxjerr pra krye edhe njëherë karakteristika e pandryshueshme e z. Rama: hileja që bën pis këdo. Edhe vetë pisllëkun. 

s.zaimi