Kush po pyeste veten se pse nuk po shkruante për çështjen “Veliaj” - “5D”-Inceneratori, Ilir Yzeiri, mund të marrë frymë lirisht. Z. Yzeiri, një ndër penat objektive dhe kritike të asaj që quhet publicistika post, ka zografisur ca të vërteta drithëruese për të gjithë ne. Mes të tjerave z. Yzeiri ka lënë dorën të shkruajë se:

Në Shqipëri, për fat të keq, po instalohet kultura e vjetër që jeta e çdo individi nuk varet nga sistemi ligjor që ndërtojmë, por nga vullneti politik i atij që na drejton. E gjithë kjo ka sjellë më pas edhe luftën pa asnjë ide e pa asnjë princip që bëhet mes palëve politike. Fjala vjen, ajo që po ndodh tani në fund me Erion Veliajn e ilustron më së mirë këtë. Veliaj është kryetari i Bashkisë më të madhe në vend. Posti që ai mban e detyron atë që të firmosë vendime vetëm atëherë kur ato kanë kaluar të gjitha hallkat kolegjiale që nisin me Këshillin Bashkiak e përfundojnë me sektorët përkatës. Ai ka dorëzuar në SPAK të gjithë dokumentacionin nga i cili organi i hetimit dyshon se mund të jenë bërë abuzimet në hallka të tjera.

Nëse do të ishim në një shtet normal me një sistem të ngritur, të gjithë duhet ta përshëndesnim këtë hap të Veliajt sepse, më në fund, te ne po krijohet kultura që drejtësia nuk është një sistem armiqësor, por është një sistem që na mbron të gjithëvë nga shkeljet dhe se para ligjit të gjithë janë të barabartë. Veliaj nuk ka asnjë akuzë. Ai është titullari i një prej institucioineve më të zhvilluara në vend. Pikërisht në mungesë të këtij sistemi ka triumfuar kaosi dhe retorika e luftës

Dispozitivi ky. Më pas vjen vendimi:

Është e kotë të përmendësh tani plagën e madhe që i ka shkaktuar këtij vendi veprimtaria shkatërruese dhe nxitja e kaosit nga Sali Berisha. Duke zaptuar hapësirën publike dhe duke e shndërruar atë në një arenë të pështirë lufte, shoqëria shqiptare ka përjashtuar nga vëmendja e saj jetën dhe fatin e të rinjve, jetën dhe fatin e arsmit shqiptar, jetën dhe fatin e natyrës dhe zonave të mbrojtura. Në një vend ku gjithçka është në përleshje e përplasje, në një hapësirë ku nga mëngjesi në darkë të gjithë duhet të shohin e të dëgjojnë retorikën e kaosit, në këtë vend ka shumë pak hapësirë për të ngjallur shpresë, për të ndërtuar një jetë të qetë e për ta gëzuar këtë vend

Pikë vulë. Ça të thuash më! Çfarë ndjesie lirie duhet të ketë njeriu pasi shkruan këto radhë dhe del sërish ditën me diell duke qeshur me veten! Demokraci!

s.zaimi