Ne një shkrim me titull "Mitsotakis dhe kërcënimet pa bukë për shqiptarët", analisti Dritan Hila, hedh ndër të tjera idenë hipotetike të një takse për ata që pushojnë në Greqi, si formë lufte ekonomike ndaj shtetit fqinj.

Shqiptarët nuk e shohin më Greqinë si vend punësimi por pushimesh. Nuk e di a do t’i vinte mirë Micotaqis nëse Rama do t’u vinte një taksë, le të themi 200€ atyre shqiptarëve që shkojnë për pushime në Greqi në periudhën e muajve të verës. Do të ishte një shifër që do ta ndiente buxheti i hotelerive greke.

Duke iu referuar Greqisë si “xhuxh ekonomik që shfrytëzon rregullat e solidaritetit që vendosën themeluesit e BE”, Hila kujton qasjen e përsëritur disa herë kohët e fundit nga Athina në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Por sipas Hilës, pavarësisht se vend anëtar me të drejtë të plotë vote, Greqia ka sot një politikë, të cilës i janë ndryshkur armët. Sepse, sipas tij, shqiptarët, ata që vendosin të lënë Shqipërinë, ndryshe nga 30 vjet më parë, nuk po e zgjedhin më Greqinë, por Gjermaninë, Britaninë e SHBA-të.