Kryeministri Edi Rama, duket se ka kuptuar se ka një problem serioz me besueshmërinë e atyre që deklaron, ndaj për ta zgjidhur këtë “çështje”, ka zgjedhur të citojë burime që ai i cilëson “të pavarura”. Sot ai ka zgjedhur të citojë revistën ekonomike “Monitor”, për realitetin e punësimit në turizëm.

Të punosh në turizëm në Greqi a në Itali a kudo tjetër në Europë, si emigrant shqiptar, nuk është më një zgjedhje më e mirë se sa të punosh në Shqipëri, nga Thethi e deri në Ksamil. Pagat e rritura shumë ndjeshëm dhe taksat e shpenzimet shumë më të ulëta se sa kudo gjetkë, e bëjnë sot punën në sektorin e turizmit shqiptar një zgjedhje më të mirë se sa në vende të tjera rrotull

shkruan ndër të tjera z. Rama. Që publikon mandej një shkrim të revistës.

Oshilacionet e qëndrimeve të këtij njeriu janë të larmishme. Ndonëse për punësimin ka patur një konstante për mungesën e profesionistëve, lidhur me realitetin e tregut të punës, kemi dëgjuar një kryeministër që uron largimin e shqiptarëve si shenjë lirie, te propagandimi i punëtorëve të huaj që “nuk merren me thashetheme si shqiptarët” e deri te propagandimi i pagave të kënaqshme dhe konkuruese me tregun e vendeve fqinj.

Për aspektin e krahasimit të cilësisë së punës mes punëtorëve shqiptarë dhe të huaj, nuk ka studime, por me aq kontakte sa kemi me njerëz në sektorin e ndërtimit, në përgjithësi dominon bindja se punëtorët shqiptarë janë të preferuar dhe shumë më efektivë. Në këtë kuptim Shqipëria po humbet një forcë deri diku të kualifikuar në një sektor kritik për të.

Ta lëmë këtë gjë e të pyesim z. Rama: sa shqiptarë zgjedhin Greqinë dhe Italinë sot për të emigruar?

Sa shqiptarë emigrojnë në këto dy vende për të punuar në sektorin e turizmit?

A ka kuptim të bëhet ky krahasim pagash nominale mes të trija vendeve? A flet ai për ekonominë në tërësi dhe sigurinë e një punëtori?

Dhe tjetra, që është më e rëndësishme: po për të JETUAR si qëndron krahasimi mes të trija vendeve? Sepse emigrimi i tanishëm i shqiptarëve nuk lidhet më strikt me elementë të mbijetesës ekonomike. Patjetër që jo. Lidhet me cilësinë e jetës në këtë vend, që mund të gjenerojë më shumë milionerë për frymë se çdo vend tjetër, por nuk ofron ASGJË, absolutisht ASGJË për këdo që do të zhvillojë veten.

Treguesit e veçantë nuk mund të merren të shkëputur nga një realitet shumë më kompleks, sepse edhe në qofshin të vërtetë, vijnë e shndërrohen në alibi. Shpjegimet e një kryeministri, sado objektive, kanë përballë testin e objektivitetit të shoqërisë, që sot është mbërthyer në një dëshpërim që lidhet me shumë faktorë. Dhe një ndër këto është pasiguria totale juridike dhe sociale, ndjesia se asgjë nuk është e jotja në këtë vend, zhveshja pra tërësore e shqiptarit nga opsionet për të ardhmen. Ndaj edhe Ikja është e vazhdueshme dhe nuk ka shpjegim vetëm me të ardhurat.

s.zaimi