Kompania britanike “Rio Tinto” që ka fituar të drejtën e shfrytëzimit të minierës së litiumit në Jadar, ka kërkuar tërheqjen e një studimi të Dragana Djordjeviç dhe ekipit të saj nga publikimi në revistën “Nature”.

Nigel Steward, shkencëtari kryesor i kompanisë dhe tre shkencëtarë serbë që janë përfshirë në vlerësime paraprake për ndikimin në mjedis, kanë ndërhyrë në stafin e revisës duke kërkuar tërheqjen e artikullit që sipas tyre përmban “pasaktësi faktuale, aplikim të paqëndrueshëm të metodës shkencore dhe një sërë gabimesh të tjera”. Kjo raportohet nga media opozitare serbe, “N1”.

Artikulli me titullin “Ndikimi në mjedis i aktiviteteve eksploruese të një miniere potenciale litiumi në Serbinë Perëndimore”, duket se përfaqëson një mendim të kundër nga ato të ekipit të “Rio Tinto” dhe që sipas kësaj të fundit ka “çorientuar komunitetin shkencor dhe publikun”.