Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare ka reaguar në lidhje me publikimin në rrjetet sociale të pasaportës diplomatike të Kryepeshkopit Anastas. Përmes profilit të "Radios Ngjallja", KOASH akuzon drejtorin e Arkivit të Shtetit për mashtrim dhe ndjekje të një axhende antiortodokse që nga marrja e detyrës.    

“Ditën e djeshme në disa portale u publikua pasaporta e Kryepiskopit Anastas nga historiani 37-vjeçar, drejtuesi më jetëgjatë i një institucioni shtetëror, i njohur për qëndrimet nacionaliste ekstreme të tij dhe nxitjen e urrejtjes etnike në vend. Ky riosh që karrierën e tij e ngriti duke sulmuar Kishën Ortodokse dhe besimtarët e saj, një nga ithtarët më fanatik dhe një ekstremist me tipare të një kamikazi fetar që ndikoi drejtpërdrejt në rezultatet e deformuara të Censit 2011 dhe 2023 përsa i përket numrit të besimtarëve të komunitetit Ortodoks, ky armik i përbetuar ndaj çdo gjëje ortodokse që përzuri nga Arkivi ata punonjës që mbanin emra Ortodoksë nuk rresht së manipuluari të vërtetën dhe sulmet ndaj Kishës dhe Kryepiskopit”, thuhet në reagim, ku megjithatë nuk kundërshtohet vërtetësia e pasaportës diplomatike të kreut të Kishës Ortodokse.

Një ditë më parë, Bido publikoi në profilin e tij pasaportën e kryepeshkopit ortodoks, në të cilën ai rezulton diplomat grek.

“Për këdo që pyet pse Kryepeshkopi Anastas pranon e viziton vetëm të burgosurin Beleri dhe jo Dakon, Goron, Kokën e çdo politikan tjetër ortodoks që kalon të njëjtat vështirësi, ndoshta nuk e ka parë asnjëherë këtë dokument, pasaportën e tij diplomatike greke, që në fakt e ka vendosur vetë në databaza publike shqiptare, por që mediat nuk e kanë publikuar kurrë, edhe pse janë të gatshme të publikojnë çdo detaj të nacionalizmit politik grek”, shkroi Bido.

Sipas ligjit grek, kleri i Kishave jashtë Greqisë nuk hyn në listën e përfituesve të pasaportave dilomatike.

“Përjashtimin mund ta bëjë vetëm ministri i Jashtëm grek, për personel diplomatik, ushtarak a të shërbimeve sekrete”, shton Bido.