Lufta e Izraelit është ndërkombëtarizuar tashmë dhe ka kapërcyer kufinjtë e çdo kontrolli të mundshëm. Ndërkohë që zyrtarë të latë izraelitë flasin përditë për një sulm eventual ndaj Iranit, ende i cilësuar si një e keqe për t’u eliminuar, goditjet në Gaza dhe Liban vazhdojnë. Madje me ndëryrje tokësore.

Siç po shihet, Izraeli ka humbur atë që është një ndër aspektet më të rëndësishme në një konflikt: logjikën dhe motivet e ndërhyrjes. Pakkush beson tanimë se Izraeli po vepron se kërcënohet; pas ndërhyrjeve në Liban, kërcënimi ka për të qenë permanent, pasi nuk ka më asnjë forcë që të pajtohet me këtë që po ndodh. As në Iran, as në Liban. As në Palestinë.

Në një dokumentar investigues të AL Jazeera, rrjeti arab vendos në thelb një akuzë të hapur për krime lufte të Izraelit në Gaza, duke renditur një sërë elementësh që nisin që nga ushtarët që pozojnë para akteve të shkatërrimit dhe vrasjes, nga deklarimet publike të politikanëve, ku spikat ai i presidentit Herzog që flet “për një komb përgjegjës për sulmet ndaj izraelitëve” e deri te përdorimi i Ineligjencës Artificiale në luftë që gjurmon celularët e objekteve, mbledh të dhënat e tyre në rrjete sociale, i pikëzon dhe nëse evidenton një vlerësim poshtë një kufiri, personi kthehet në shënjestër dhe ekzekutohet.

Ku është babi?- quhet operacioni, pasi sipas rrjetit në fjalë, goditjet kryehen me bomba në shtëpitë e subjekteve që duhen eliminuar. Nuk ka kurë që të shërojë këtë helm dhe këtë urrejtje radioaktive që po përhapet nga Izraeli.

Nga ana tjetër, Izraeli ka publikuar për herë të parë planet e sulmit të 7 tetorit, ndërkohë që në mediat e vendit përmendet realizimi i një dokumentari të një regjizori hebreo-kanadez, titulluar: Në Rrugët e Vrasjeve! Ajo që duket se përfaqëson sot një problem të patrajtueshëm sigurie, është se përveç heshtjes së Egjiptit, Izraeli ka prodhuar urrejtjen e madhe në rajon, duke shpërthyer politikën e vet përmes grykës së armës.

Gjuha mandej e etiketimeve që vjen nga Izraeli, lë pas edhe sintaksën e nazistëve, diçka që duhet të bëjë të mendojë mirë fuqitë e mëdha kur tolerojnë që ato që studiuesi hungarez Istvan Bibo i quante “shoqëritë e vogla” të militarizohen deri në këtë pikë. Sepse është e qartë se forca e zjarrit të Izraelit sot, dhe sidomos kërcënimet e tij ndaj Iranit janë në disproporcion me fuqinë dhe kapacitetet e tij, justifikohen vetëm nga mbështetja e jashtëzakonshme amerikane dhe cilësia organizative e një shtetit që duhet hetuar edhe për faktin se siç po duket ka patur të miratuara plane lufte për pastrimin etnik të Gazas. Më së paku.

s.zaimi