Faqja online gazeta Tema, pyeste sot në mënyrë retorike se çfarë mbetet tani që Veliaj Erion u shfaq në Tiranë pas lajmeve se ai do qëndronte në ShBA deri më 17 janar?

Pyetja nuk mëton të nxjerrë ndonjë të vërtetë, ajo thjesht i kujton njerëzisë për të miliardën herë se Sali Berisha jeton. Fundja ky, pra Berisha, i jep kuptim ekzistencës së medias në fjalë që nuk pyet asnjëherë se si qëndron puna me Veliajn, nuk ngre asnjë dyshim, nuk ka asnjë ekzigjencë për të vërtetën. Njësoj si të gjitha llozhrat mediatike të gëlbazës me emrin: Qeveri.

Sa herë e kemi parë dosjen e Gërdecit në këto media? Sa herë të 21 janarit? Sa herë të tjera aferën Partizani? Zero për inceneratorin e Tiranës.

Kjo sjellje të kujton një deklaratë që bëri dikur, në vitin 2008, Sabri Godo. E quanin plaku i mençur i Politikës. Ka edhe një bust ai para Parlamentit. Pak pas ngjarjes së Gërdecit, Godo në një nga intervistat e kohës do të shprehej se:

Fatmiri i ka letrat në rregull

E kishte për Fatnir Mediun, ministër i Mbrojtjes i kohës.

Ndërkohë që Saliu mbronte veten dhe djalin, Sabriu mbronte krijesën e vet politike, Fatmirin. Deyrat ndahen deri sa u arrit pazari i Kushtetutës me Forrest Gump-in e Partisë Socialiste që sot shfaqet si sonambul gjysmë senil në mesazhe të ndërrimit të viteve.

Çfarë na thotë kjo “i ka letrat në rregull”? Na thotë që Sabriu, i Mençuri nga Progonati, e dinte çorbën e Gërdecit, por aq i bënte: Fatmiri të shpëtonte.

Kështu ky rilindas i vetëkrijuar me urtinë e mbijetesës, që nuk linte rast pa folur për shqiptarizmën e nacionalizmin, në një tek rast kur duhej të provonte moralin, zgjodhi banditizmin.

Edhe Veliaj Erion, mjafton të bëjë letrat në rregull. Pa se çfarë ka bërë e di Tema dhe shqiptarja e java me ditën. Edhe? Ne jemi këtej dhe jemi aty ku duhet. Puna e letrave është atuja e politikës sonë. Pa dallim. Ec e kape Sali Penxheren te Rapiscan. Pse Veliaj ta hajë kur Sala është jashtë?

Ky është morali i të gjithëve që kanë dorën të zënë me interesat e tyre. Dhe ky është edhe interes i vetëm.

Kështu që kur pyesin se çfarë do bëjnë ata që thanë se Veliaj iku, përgjigja është me një pyetje: çfarë bëri ky në vizitën zyrtare në ShBA? Se nuk dimë gjë.

Që kjo lojë që po shpërbën vendin të marrë fund, ose së paku të ndryshojë, është domosdoshmëri hetimi pasuror dhe penal, e mandej eventualisht dënimi i atyre të ashtuquajturve gazetarë që llapin për të helmuar dhe zhurmuar.

Burg, burg -, thoshte kohë më parë Forrest Gump. Dhe për çfarë? Për energjinë elektrike që e prodhoi Enver Hoxha. Burg do kthyer edhe në anën tjetër.

s.zaimi