Gjyqtari Erjon Bani ka vendosur në masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, pas një seance maratonë në GJKKO të nisur që në orët e para të mëngjesit.

Ndërkaq, është zëvendësuar masa e sigurisë ndaj Ajola Xoxës, e cila është lënë në "detyrim paraqitje", dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit. 

Po ashtu mbeten në fuqi masat "arrest me burg" për biznesmenin Elman Abule dhe "detyrim paraqitje" për biznesmenët: Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Shkëlqim Fusha.

Veliaj u arrestua të hënën me vendim të Gjykatës së Posaçme për veprën penale të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Seanca e sotme u shoqërua me debate, ku Veliaj iu drejtua prokurorit të çështje Olsi Dado me fjalët:

“E ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë ‘do ta mbash mend’. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu”.

Tetë të hetuarit akuzohen për krijimin e një skeme korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa dhe grupit të biznesmenëve pranë tij, të cilët janë pjesë e hetimit, me vlerë transaksionesh prej më shumë se 1 milion euro.