Një vëzhgim i realizuar nga Alpha Bank në Greqi mbi çmimet e pronave dhe qirave mbi to evidenton një lëvizje disproporocionale të tyre krahasuar me të ardhurat.

54% e të anketuarve e konsiderojnë blerjen e një shtëpie të pamundshme, 39% të vështirë, kurse 68% besojnë se qiratë nuk janë të përballueshme krahasur me rrogat.

52% e të pyeturve thonë se paguajnë më shumë se 30% të të ardhurave për qira, 54% deklarojnë se qiratë janë rritur në dy vitet e fundit.

Të dhënat në fjalë sugjerojnë se dinamika e tregut të pasurive të paluajtshme është shumë asimetrike kur vihet në relacion me të ardhurat, pasi kërkesës në treg i shtohen shumë qytetarë që vijnë nga jashtë duke krijuar hendek të madh mes ofertës dhe kërkesës. Megjithatë në Greqi, kryesisht në qytetet e mëdha, raportohet se janë 800 000 apartamente bosh, që mund të ishin një shtesë oferte në treg për të kompensuar çmimet e rritura.

Megjithatë, e dhëna më interesante që vjen nga sondazhi është fakti se sipas bankës greke, tregu është anormalizuar nga qiratë afatshkurtra, që u mundëson pronarëve të tërheqin pronat nga tregu i qirave afatgjata duke i vendosur qytetarët grekë nën presion të shtuar financiar. E thënë thjesht: turizmi, pavarësisht të ardhurave që gjeneron ka shtrenjtuar jetesën në përgjithësi për rezidentët duke krijuar një paradoks të madh me faturë sociale jo të vogël.