Po komentohet gjerësisht një intervistë e fundit e presidentit amerikan Donald Trump për gazetën “The New York Times”.

Nuk më duhet rendi ndërkombëtar. Pushteti im kufizohet nga mendja dhe morali im

thotë Trump.

Por mandej ai shton se precedenti Maduro nuk do të ndiqet nga Kina në Tajvan pasi “unë ia bëra të qartë presidentit kinez”.

Ndoshta do ta godasë Tajvanin me një president tjetër amerikan, jo me mua

vijon Trump.

Më tej Presidenti amerikan thotë se traktati i ri i mospërhapjes së armëve duhet të përfshijë edhe Kinën, një qasje logjike që nuk para pajtohet me deklarimet e tjera hiperindividualiste.

Rrëmuja e qëndrimeve të tilla sugjeron se presidenti amerikan do të shihet si sundimtar i botës, paqëtues dhe i pasfiduar. Në këtë kuptim atij i rrinë ngushtë prerogativat kushtetuese duke iu referuar strikt pushtetit të pastër ekzekutiv. Por si mund të akomodohet bota me një politikë të tillë emotive? Që sa ka nisur të imponojë pasiguri dhe që me këto ritme shumë shpejt do të çojë në frikë.

Një tjetër aspekt këtu është se Trump e trajton botën si audiencë amerikane duke injoruar me gjasë mënyrën si interpretohen disa qëndrime. Nuk është rastësi që Rusia p.sh  ka mbajtur profil të ulët për rastin  Maduro dhe bllokimin e anijes së vet në Atlantik. Ndërkohë që Ukraina ka kaluar në plan të dytë. 

Edhe për zhvendosjet masive të të mjeteve në Britani, nuk ka një qëndrim të qartë nga askush dhe ndihet se diçka e madhe po përgatitet. Toksikimi ka mbërritur shumë larg saqë askush  nuk po gjen dot kuadrin operativ në këtë botë. Në një postim të vetin në rrjetin “X”,  një ndër ideologët e konservatorizmit rus, Alexander Dugin bënte një shënim ogurzi:

Rusia është e detyruar të bëjë diçka të tmerrshme që të rivendosë kredibilitetin e vet. Është shumë e trishtueshme që na duhet të përdorim argumente të tilla, por nuk kemi zgjidhje. Vetën brutaliteti, forca, shkatërrimi në masë dhe mizoria vlejnë në një botë si kjo e Trump. Ose godet i pari, ose je i vdekur

shkruan ai.

Është e paqartë se çfarë po e tensionon botën në këtë pikë, por një gjë është e qartë: strategjia e Donald Trump është: “Bota në kaos që ShBA të kreditojë”.

s.zaimi