Kanë kaluar 8 ditë proteste në këtë fillim qershori. 8 ditë që përtej çdo analize objektive, të ftohtë, çdo keqdashjeje, cinizmi dhe marazi, kanë dominuar mendjen e shumicës së qytetarëve. Kanë dhënë një impuls pozitiv dhe gëzimi në një vend që u mbyt nga mërzia dhe lajmet e kobshme. Nga pabesia e qeverisë dhe politikës që ka nxjerrë në shitje gjithçka, duke qenë në fund vetë blerësja dhe përfituesja.

Çudia zgjat vetëm 3 ditë në Shqipërinë e Edi Ramës dhe Sali Berishës që patjetër nuk janë të vetimit përgjegjës për triumfin e një kulture të tërë politike, por zullumi ka 30 vjet që zgjat e nuk mbaron.

Aq sa kushdo e di që edhe mes demokratëve, por edhe me socialistëve ka njerëz të zakonshëm që janë me protestën.

Suksesi i madh i kësaj lëvizjeje është se ajo theu simetrinë e hekurt të skenës politike, përmes paralajmërimit se brezi i ri mendon ndryshe dhe do diçka tjetër. Dhe brezi i ri nuk përfaqësohet as nga ekselentët me tesera partie, që katapultohen në karriera, por edhe tek ata që në fakt kanë ndjeshmëri të ndryshme nga tonat.

Sigurisht që një protestë që zgjerohet ka firot e veta dhe evidenton probleme që nisin e mbarojnë kryesisht me qëllimin që i duhet dhënë asaj, rezultatin dhe bashkëjetesën e ambicieve. E vërteta është se në këtë protestë aderon sot edhe një pjesë e Europës, për arsye të ndryshme. Dhe aderon me qytetarinë e vet të frustruar nga politikat e mykura dhe burokratike që vetëm adresojnë formalisht shqetësime, por nuk luajnë nga vendi.

Të mos injorojmë se jehona e saj nuk lidhet me asnjë lloj agjende, por me origjinalitetin e vet. Protesta e qershorit 2026 do të shënohet si lëvizja që i mori skenën dhe narrativën Edi Ramës, njeriut që korruptoi gjithçka, sidomos Fjalën. Ia mori duke e asgjësuar në të gjitha atutë e pretenduara si pika të forta të tij. Të batutës, diversionit, qetësimit dhe menaxhimit të emocioneve. Pasi siç e kemi parë z. Rama është i shkalluari numër një nga kjo protestë.

Insinuimet e tij të njëpasnjëshme, dëshmojnë dobësinë përkundër një lëvizjeje që u ngjiz nga arroganca dhe tanimë edhe politika e përjashtimit të shqiptarëve nga ajo copë tokë që kanë trashëguar. Kjo do të jetë edhe damka e tij në histori, të cilën kaq shumë e kërkoi. Një kryeministër që u votua nga 1 milionë njerëz dhe akuozi një pjesë të tyere si pjesë e luftës hibride ndërkohë që vetë është i dokumentuar se ka dhënë ishuj dhe laguna. Por t’ia lëmë historinë Historisë. Në fund të fundit, nuk ka asnjë shqiptar që të mos ketë arsye për të protestuar dhe kjo mjafton edhe për të kuptuar se E MIRA nuk është zhdukur nga ky vend dhe se E BUKURA nuk duhet vetëm blerë këtu.