Incidenti në Kishën e Dhërmiut po zbulon gradualisht disa qëllime dhe qasje të kësaj qeverie, që qëndrojnë larg pretendimeve publike për tolerancë e bashkëjetesë. Por ai na bën të qartë se çdo qytetar duhet të ketë kujdes, të hapë sytë e të ruajë pronën, pasi mënyra sesi veprohet, tinëzisht, pa vendime gjykatash dhe në mënyrë selektive, bën çdokënd viktimë potenciale.

Një qeveri që reagon ndaj Athinës...

Ka tri ditë që ka ndodhur incidenti dhe ciladoqoftë e vërteta rreth tij, bëhet fjalë për një akt të denoncuar publikisht e procedurialisht që kërkon nje përgjigje zyrtare. Por asgjë. As policia dhe askush tjetër me detyrë zyrtare, nuk ka folur. Ka folur sot vetëm zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Glevin Dervishi, që përmes një deklarate ka përsëritur qëndrimin 60 vjeçar të Shqipërisë që refuzon ndërhyrjen në punët e brendshme. “Konstatojmë se qëndrimi i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, përbën, në këtë kontekst, një ndërhyrje në mbarëvajtjen e rendit të brendshëm civil, administrativ dhe gjyqësor të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, ai paragjykon në mënyrë të njëanshme dhe eksesive angazhimin e kahershëm të Greqisë për të shoqëruar integrimin europian të Shqipërisë. Ky qëndrim, në këndvështrimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare është larg frymës së bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis Shqipërisë dhe Greqisë, që kishte për qëllim të promovonte takimi i fundit i ministrave Bushati-Kotzias. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreson se deklarata e djeshme, e cila në asnjë mënyrë nuk mund të shihet si qëndrim i një autoriteti që ushtron garanci morale apo kanonike mbi Kishën Ortodokse Autoqefale shqiptare dhe besimtarët e saj, do të mbetet vetëm një insinuatë e izoluar në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-greke”, thuhet në deklaratën e Dervishit, e që është e qartë që e kanë shkruar të tjerë. Reagimi vjen pasi zëdhënësi grek i Ministrisë së Jashtme foli për incidentin, por “vetëm kur u pyet në konferencë për shtyp”.

Pse Greqia flet për çështje të tilla?

Bie në sy një angazhim konstant i Greqisë kur vjen puna te probleme që shqetësojnë ortodoksët në Shqipëri. Ka deklarata publike, nota etj.. Si të shpjegohet kjo? Shikoni se çfarë fraze (i) përfshi(j)n në deklaratë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme shqiptare: “...deklarata e djeshme, e cila në asnjë mënyrë nuk mund të shihet si qëndrim i një autoriteti që ushtron garanci morale apo kanonike mbi Kishën Ortodokse Autoqefale shqiptare dhe besimtarët e saj”. Një frazë që dërgon një mesazh drejt Athinës, lidhur me një marrëveshje të hershme mes dy vendeve që i atribuon Greqisë të drejta “proteksioniste” mbi kishën dhe të drejtat e ortodoksëve. Për këtë çështje flitet shumë në mjediset diplomatike të Shqipërisë, të cilat e lidhin atë me kushtëzimet për nënshkrimin e Traktatit të vitit 1996, rikonfirmuar me tjetër peshë në vitin 1997. Sigurisht kjo është një marrëveshje që nuk bëhet publike, por kur në këtë sens mesazhet i nis Ministria e Jashtme e Shqipërisë, atëherë kemi të bëjmë me një moment pasinqeriteti ndaj qytetarëve.

Ndërtimi i paligjshëm dhe disa tapi në Shkodër...

Reagimet e para që pasuan incidentin ishin ato të KOASH-it që cilësoi se akti i ndërhyrjes së njerëzve të pushtetit ishte i paligjshëm dhe cenonte marrëveshjen mes KOASH dhe qeverisë. Për t’i dhënë zë “të drejtës” së shtetit u shfaq këshilltari i kryeministrit Artan Shkreli dhe kreu i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro. Ndonëse nuk u mohua se kisha është ndërtuar në vitin 1992, se ajo nuk është monument kulture, sërish u fol për ndërhyrje pa leje. “ResPublica” foli me një ekspert të fushës që preferon të qëndrojë anonim, e sipas të cilit, i vetmi institucion që mund të reagonte ishte Instituti i Monumenteve të Kulturës, nëse objekti do të ishte përgjegjësi e tij. Përndryshe askush nuk mund të ndërhyjë në rregullimet që bëhen në objektet e kultit. Nëse ka një pretendim për varrin e ndonjë njeriu me rëndësi, atëherë në këto raste ka procedura dhe bëhet exhumimi, që nuk ka pse të çojë në prishje të kishës. Këto thotë eksperti, por kur vjen puna te zbatimi i ligjit dhe respektimi i komuniteteve fetare, duhet të shohim sjelljen e shtetit. Kështu sot pretendohet se po bëhet ndërhyrje pa leje, por vetëm disa javë më parë, Artan Lame, shoku i ngushtë i Artan Shkrelit, shpërndau në Shkodër tapi legalizimi për kisha katolike e xhami( http://www.respublica.al/2015/08/07/xhami-dhe-kisha-pa-leje-në-shkodër-…). Pse ky qëndrim me dy standarde? Pse pra kjo luftë shtetërore ndaj Kishës Ortodokse?

Varri i një misionari, uniatët e rinj të Tiranës

Kulmi i kësaj shfaqjeje ofrohet nga këshilltari i Edi Ramës, Artan Shkreli, një intelektual siç e quajnë, i cili që nga vera e 2013-ës është realisht “i mbytur në punë”. Çfarë tha Shkreli, që është shumë i apasionuar pas arkitekturës së Tiranës realizuar nga Italia Fashiste? “Kisha ka shërbyer si varr. Nilo Catalano, autor i një fjalori shqip-italisht, ka qenë i varrosur aty. Ai, mendohet se dha mësime të shqipes në Himarë qindra vjet para se të themelohej shkolla e parë”, tha ai. Pra puna qenka te historia jonë, për të cilën përdëllohet Shkreli e për vendosjen në vend të së cilës mund të miratojë edhe veprime ekstraligjore. Për këtë temë, zëdhënësi i Kishës Ortodokse, Thoma Dhima, replikon në Facebook si më poshtë: “Thone se ne Himare na paskan qene ca murgj katolike dhe uniate, te cilet u perpoqen t'u kthenin besen e te pareve. Por nuk thone, se ndihmesi i Katelanos, nje murg renegat grek, qe kishte hedhur shume para per t'i blere, te cilat ia kishin derguar qe pertej detit, kur u kerkoi banoreve qe ne Liturgjine Hyjnore ne vend te peshkopeve te tyre kanonike ortodokse te permendnin Papen, u debua pa ceremoni nga zona dhe endrrat me uniatizem (qe ne menyre qesharake, por dhe agresive perpiqen ta ringjallin sot disa funksionare shteti), moren fund nje here e pergjithmone. Te fundit qe e bene kete perpjekje mjerane dhe deshtuan me turp ishin misionaret fashiste te Musolinit”, thotë Thoma Dhima. Të jetë Shkreli një ëndërrimtar i aventurës uniate, një biçim idhujtari i Dionis Filozofit? Ndoshta, pasi edhe kryeministri që i tërheq kapistrën atij pushon në Vuno, është përgjysmë nga Vunoi, një fshat që ka dallime nga fshatrat fqinj. Edhe në çështje të dialektit gjuhësor. Por kjo nuk do të thotë se historia nis e mbaron aty dhe ajo nuk mund të ndryshojë as me asistencën, periferike sidoqoftë, të një katoliku si Artan Shkreli. Nuk është aspak çështja te ndonjë konspiracion: ruajna Zot, nuk është Shqipëria kaq e rëndësishme. Është fjala që pas Fjalëve të Mëdha dhe shqetësimit për misionarë, mos ndoshta qëndrojnë disa interesa të vockla, nga ato që Levantinët e parfumosur alla frënga i njohin aq mirë.