Vjen pak “era Skandinavi” ligji i ri për burgjet që po përgatit Ministria e Drejtësisë, ku mes të tjerave parashikohet edhe nocioni i ri i “burgjeve me regjim të hapur”. Drafti  po diskutohet për përmirësime, ndërsa pritet që në periudhën shtator- tetor 2015 të dërgohet në Qeveri dhe më pas në Parlament.

Sipas projektit, “në nenin 12 të ligjit aktual për burgjet, pas togfjalëshit ‘burgu i sigurisë së ulët’ shtohet togfjalëshi ‘burgu me regjim të hapur’.

Ky nocion i ri parashikon lejimin e daljes së të dënuarve nga qelitë për qëllime punësimi.

“Burgje me regjim të hapur, do të thotë që personat që kanë marrë një masë dënimi nën 5 vjet ose personat të cilëve u ka mbetur dy vjet burg pa kryer nga gjithë masa e dënimit, do të trajtohen me regjimin e burgjeve të hapura”, thote kreu i burgjeve Artur Zoto. I burgosuri del nga qelia në mëngjes dhe shkon në vendin e punës së tij.

Pas përfundimit të punës, ai kthehet në institucion deri në mëngjesin tjetër, duke e kthyer vuajtjen e dënimit në kohë të vlefshme për punë, përzier me pak regjim hotelier...Por gjithë ky ekuacion ka një kusht: Që të ketë punë edhe për të burgosurit.