Mbërrin edhe haberi i radhës sesi shqiptarëve do t’u shtrëngohen dhëmbët nga “shteti”. Raportohet se Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë “ka njoftuar të gjithë qytetarët, institucionet shtetërore, subjektet private që kanë në pronësi/përdorim mjete rrugore, të marrin masa për likuidimin e gjobave të vendosura nga shërbimet e policisë, për shkelje të legjislacionit rrugor. Duke filluar nga data 1 shtator 2015, nga shërbimet e policisë rrugore do të ushtrohen kontrolle të vazhdueshme dhe për mjetet që do të rezultojnë me 1 gjobë, të cilës i ka kaluar afati 30 ditor i arkëtimit do të bëhet bllokimi administrativ deri në arkëtimin e tyre.
Gjithashtu, për rastet kur mjeti brenda 3 muajve nuk shlyen detyrimet dhe nuk tërhiqet nga pronari mjeti do të konfiskohet”. Çfarë qeverie mund të quhet kjo që u vendos afate njerëzve, ndërkohë që detyrimet e veta nuk i shlyen asnjëherë? Çfarë janë këto pushkatime financiare ndërkohë që 150 mln i humbi në tatime e po aq nga KESH?
Para disa kohësh qeveria ndërmori një projektligj ku parashikohej sekuestrimi i shtëpisë nëse nuk kishe paguar energjinë elektrike. Një marrëzi adoleshentësh e cila në minutë të fundit u ndryshua. Është kjo qeveri e cila ka tre muaj që nuk paguan rrogat e punonjësve të administratës së pushtetit vendor “për kleçka ligjore”. Askush nuk do të dijë. Kjo qeveri fali edhe borxhin që institucionet i kishin KESh-it dhe bëhet fjalë për 100 milionë dollarë. Afate ultimative janë vënë për kasat, legalizimin, afate na ka vënë edhe bota për lëvizjen. Jemi popull që jetojmë me afate. Mirëpo këto afatet e reja, që vendosen si e si të mbushin gropën e të ardhurave, vendosen nga vetëm këta njerëz që shikoni në foto. Sot p.sh ministri i Transporteve, emri nuk ka rëndësi në këtë polifoto, nuk përgjigjej për çmimet e biletave të avionëve. Pse i duket kaq e parëndësishme kjo gjë zotërisë x, që e kanë urdhëruar të jetë ministër aty? Këtu nuk po diskutohet se ku shkojnë taksat tona, a konvertohen ato apo jo në shërbime. Por edhe afatet nuk kanë sesi të kthehen në ultimatume se në çdo rast, sado të trashet zëri, nuk sekuestron dot pasurinë e një populli të tërë. Përpara se të kalohet në sekuestro, do duhej garancia për ligjshmërinë e gjobëave. Por a ekziston ajo sot?