Shkolla “Emin Duraku” në Tiranë do të rikonstruktohet. Duket se nuk ka asgjë të pazakontë në këtë lajm, por ja që e pazakonta është te fakti se kjo ndërhyrje është menduar të bëhet me fillimin e vitit të ri shkollor. Nga drejtues të shkollës 9-vjeçare thonë se ajo është rikonstruktuar para 9 vjetësh, si dhe së fundmi është lyer. Ndaj rikonstruksioni ngjan disi i pajustifikuar. Sa për nxënësit ata do të sistemohen në shkolla të tjera, si “Petro Nini”, ku do të shfrytëzojnë mjediset pasdite. Përfaqësues të bashkisë së Tiranës thanë për “ResPublica” se janë tri shkolla në rikonstruktim, kjo në zbatim të projekteve të tenderuara nga drejtuesit e dikurshëm të bashkisë. Më tej: “Bashkia përgjigjet për rikonstruksioni”. Për procesin mësimor përgjigjet Ministria e Arsimit. Në komunikim me përfaqësues të saj, ResPublica mësoi vetëm konfirmimin: që, “po do të bëhet ndërhyrje, pasi bashkia ka bërë disa tendera para disa muajsh dhe po zbatohen”. E habitshmja qëndron në lehtësinë sesi sakrifikohet një vit shkollor, zhvendosen nxënësit e lëvizin të gjithë për një ndërhyrje që duket e pakoordinuar. Nëse për shkollën “Qemal Stafa” thuhet se ka përfunduar thuajse 80% e punimeve, për “Emin Durakun” puna sapo nis. Pavarësisht se ka fëmijë që bijnë në shkollë, e pavarësisht se vera kishte plot dy muaj kohë.