Mustafa Nano shkruan një opinion në gazetën “Shqip” ku flet për dekriminalizimin. Ideja e Nanos përmblidhet në paragrafin e fundit:  “Problemi nuk është Lezha, Laçi, Kamza etj., apo përfaqësuesit e tyre në parlament e në organet qeverisëse. Problemi është e gjithë shoqëria (public body, public opinion), e cila, në ndryshim nga gjetkë, qoftë dhe në SHBA, nuk është thjesht e çoroditur apo e shastisur. Është dhe e korruptuar. Tërësisht e korruptuar. Aq e korruptuar sa janë vetë votuesit që zgjedhin vullnetmirë banditë gjithfarësoji si përfaqësues të tyret në organet qeverisëse. Aq e korruptuar, sa luftën kundër korrupsionit e bëjnë më të korruptuarit. Aq e korruptuar, më në fund, sa betejën për dekriminalizimin po e udhëheq – wow! – Sali Berisha, që është babai i krimit, madje krimi vetë”.

Ka disa shënime të shpejta që mund të shtojmë mbi reagimin e Much Nanos.

Së pari, askush nuk e ndaloi kryeministrin Rama të jetë ai i pari në garën për dekriminalizim. Oportunizmi politik ka qenë gjithmonë ndër karakteristikat e Berishës, por për këtë s'mund të themi dot "fajin e ka Saliu!"

Së dyti, me të drejtë Much Nano shtron pyetjen: Po publiku ynë përse nuk reagon në zgjedhje? Mund të përgjigjemi në shumë mënyra ndaj kësaj pyetjeje, por po zgjedhim t'i përgjigjemi me pyetje. A nuk i kërkuam publikut të votojë kundër Berishës dhe pro tërë qelbësirave? A nuk i kërkuam publikut të votojë për guston e kryetarit dhe vetëm për atë se i tillë ishte sistemi i pranuar në 2008? Madje këtë aspekt kryetari dhe e rikonfirmoi në intervistën e të enjtes kur tha që prapë do të rizgjidhte të njëjtët njerëz, me justifikimin se nuk e dinte... A nuk është më e hajrit që përpara se t'u vendosim fajin shqiptarëve (të cilët në çdo rast kanë plot faj) të nisnim duke i kërkuar fajin kryetarit dhe tërë PS-së, e cila nuk reagon asnjëherë? A u pa ndonjë reagim i ndonjë deputeti të PS-së që të shprehej i revoltuar për ngjarjet e fundit brenda PS-së? Jo, nuk ka pasur asnjë. Ata ndjehen mes shokësh. Përkundrazi, Erjon Bracce vazhdon akoma të shprehet në Facebook se “fajin e ka Saliu”. Dhe me ritëm konstant, gati një status për ditë!

Së treti, që të jemi të qartë: jemi plotësisht të bindur që Saliu ka plot faje. Nuk kemi asnjë dyshim mbi këtë. Por sot kemi një qeveri të re. Ka dy vjet madje. Kjo qeveri është këtu për të zgjidhur problemet. Nuk pranohet më asnjë justifikim. Sidomos po nisën me "fajin e ka...". Deri më sot qeveria socialiste nuk ka arritur as edhe një hetim të hajrit për asnjë ministër të qeverisë Berisha. Pak nga pak do të na bëjnë të mendojmë që fajin s'e ka patur Saliu...

Fajin në këtë moment e ka vetëm një strukturë dhe kjo është: PS. Me sa mund të kuptohet Rilindja është e pamundur. Ajo që dukej si horizonti i ri i Shqipërisë më 1 prill 2013, sot është zhbërë.