Në debatin politik të ditëve të fundit është deklaruar fakti që shitja e sektorit të shpërndarjes së energjisë për kompaninë çeke CEZ u bë edhe për të hequr veton e Çekisë për marrjen e statusit kandidat. Në kohën kur Shqipëria paraqiti kërkesën, Çekia kishte presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Por ambasadorja e Republikës së Çekisë në Shqipëri ka mohuar se vendi i saj ka vendosur veto ndaj Shqipërisë, nisur nga marrëdhënia me kompaninë energjitike CEZ. Këtë deklaratë ajo e ka bërë gjatë një vizite në qytetin e Elbasanit. “Nuk besoj se probelmi kryesor është CEZ-i. Si diplomat i huaj, nuk dua të komentoj për një çështje që është një çështje ndërpolitike në vendin tuaj. Në fakt, zotërimi i ligjit dhe një gjyqësor i pavarur janë shumë të rëndësishme për operimin e kompanive në vend, për zhvillimin e suksesshëm të punës së tyre dhe për prosperitetin e vendit tuaj. Në fakt, marrëveshja me mirëkuptim e qeverisë shqiptare me CEZ-in është mbështetur nga Banka Botërore dhe Komisioni Europian. Kur ne japim statusin për një vend konsiderojmë se si kanë ecur reformat në atë vend. Ne tani po presim raport-progresin që lëshohet nga Komisioni Europian dhe do të diskutojmë mbi të”, u shpreh Bronislava Tomasova.