Para disa ditësh, trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, De Biasi, i nderuar nga Universiteti Europian i Tiranës me titullin “Honoris Causa”. Një ceremoni ku mori pjesë edhe kryeministri ndër të tjerë. Po cili ishte motivacioni? Kjo është sqaruar gjatë emisionit “Prcesi Sportiv” në datën 5 tetor në Top-Channel, nga rektori i UET-së, Tonin Gjura. Bashkëbiseduesi i tij, Përparim Kabo e ka cilësuar titullin të pavend, sa kohë UET nuk ka programe sportive dhe si kundërshembull ka sjellë rastin e nderimit nga një universitet sportiv bullgar të trajnerit Carlo Ancelotti. Kabo ka thënë se kjo qëndron, edhe sepse aty trajneri i njohur italian mbajti një temë sportive me relatorin përkatës. Gjura nga ana e vet ka dhënë këtë përgjigje, e cila ka rëndësi të vlerësohet në të gjitha hollësitë, apo edhe nëntekstin:
“De Biasi mbajti një fjalim të shkëlqyer. Aty flet mirë për raportet, pse themi ne shqiptarët “unë luaj” dhe duhet të themi “ne luajmë”. De Biasi është menaxher dhe ne si universitet edhe pse nuk kemi programe sporti, kemi programe të menaxhimit. Duhet të dish strukturën e universitetit për të parë sesi e kemi parë ne De Biasin. E kemi parë si menaxher. Jemi nisur pra nga kjo, jemi nisur nga fryma e bashkëpunimit në ekip, ajo që i mungon sot shoqërisë shqiptare. Dhe momentin përbashkues e kemi parë në një aspekt tjetër. Ne e shikojmë sesi funksionon politika sot në Shqipëri, media, por le ta themi edhe religjioni. Kanë shumë për të bërë, për të mos thënë që ndonjëherë përçajnë. E kundërta me De Biasin, me ekipin tonë...”(minuta 27).