Mungesa e gjatë e reshjeve ka ndikuar në uljen e nivelit të rezervës hidrike në basenin e HEC-it të Fierzës. Niveli i ujit është 271.8 metër, kuotë kjo e njëjtë me mesataren shumëvjeçare në këtë periudhë. Sipas “Monitor”, burimet në Ministrinë e Energjetikës pohojnë se, situata është tërësisht në kontroll dhe se gjithçka po shkon sipas programit. Programi ekonomik i KESH për 2015 kishte bërë parashikim që gjatë vitit të importohej një sasi energjie elektrike për të ruajtur kuotat. Gjatë këtij viti, deri më tani, nuk është bërë import por vetëm eksport. Programi ekonomik për Tetor-Nëntor-Dhjetor parashikonte import deri 365 000 mega. Këtë vit buxheti i shtetit parashikoi në fondet e kontigjencës një garanci prej 3 miliardë lekësh si një garanci për të përballuar importet e energjisë në rast të përfundimit të rezervës hidrike. Mirëpo siç duket situata e likuiditeteve në sistem është përmirësuar dhe për rrjedhojë këto fonde do të kursehen.