Partia Demokratike po vendos së fundmi disa precedentë jo shumë pozitivë në skenën politike, edhe kështu e dërrmuar në imazh publik. P.sh po vihet re se kritikën dhe kërkesën për një analizë të humbjes më 21 qershor e bën ish-kryeministri Sali Berisha dhe njerëz që kanë qenë afër tij përherë. Më e pazakonta është koha kur po zgjidhen këto insinuata që krijojnë presion të madh mbi kryetarin e PD-së, Lulzim Basha është zgjedhur pikërisht pasi afera e CEZ-it kaloi. Një aferë që bashkë me raportin konfidencial të OSBE-së, riprodhoi akuza publike sidomos për Sali Berishën. A duhet parë ky si një kundërsulm i këtij të fundit, apo marrje e frenave të kontrollit duke imponuar që në vendimmarrje të PD-së të rikthehen bashkëpunëtorë direktë të tij? Kjo është e palexueshme mirë në një parti e cila është e mbyllur për publikun. Por Genc Ruli, një deputet dhe ish-ministër që është zgjuar rishtaz me kritika dhe “reflektime” siç ka qejf t’i cilësojë, jep një hollësi, që ndonëse dihej, nuk ishte pohuar. Në një intervistë për gazetën “Tema” Ruli teksa kërkon analizimin e humbjes së 21 qershorit bën edhe këtë vërejtje: “Me sa duket Basha nuk është ndjerë aq konfort dhe dhe aq i sigurt në këto dy vite të lidershipit të tij dhje mesa duket ka preferuar të rrethohet nga figura të reja, që i japin një qetësi psikologjike në ushtrimin e lidershipit të tij. Basha në krye të PD-së ka qenë i pakontestuar që nga dita që mori funksionin e kryetarit e deri më sot. Ndoshta ka qenë vështirësia psikologjike me të cilën ai pranoi dhe mori këtë post të rëndësishëm por edhe tejet të vështirë”. Le të vihet re sesi përdoret termi “vështirësi psikologjike”, që aludon kështu se PD-ja ka në krye një njeri “që nuk është i prerë për ta drejtuar”. Pra nuk e ka vokacionin e liderit. Më tej, kur bashkëpunëtori i ngushtë i Sali Berishës, Genc Ruli thotë se: “ka qenë vështirësia psikologjike me të cilën ai pranoi dhe mori këtë post të rëndësishëm por edhe tejet të vështirë”, nuk bën tjetër veçse e konfirmon atë që është shprehur shumë herë: se Lulzim Basha e ka marrë detyrën nga të tjerë dhe nuk është zgjedhur aty. Kjo dihet si një e vërtetë e pamohueshme, por kur nënvizohet nga rrethi politik që merr vendime, atëherë është e qartë se po dërgohen mesazhe presioni. Teza se Basha dhe Rama kanë bërë marrëveshje në aferën e CEZ-it u hodh fillimisht nga LSI-ja dhe vetëm dje në intervistën e tij, Sali Berisha e mbrojti hapur Ilir Metën kur deklaroi se “ne nuk e akuzuam atë”. Në fakt PD-ja dhe Berisha e akuzuan Metën, ndonëse më vonë e orientuan kursin drejt kryeministrit. Thënë kjo, loja me CEZ-in dhe me raportin e OSBE-së që godisnin Sali Berishën, ndoshta kanë hedhur farën e mosbesimit, ose të paktën pakënaqësisë në PD. Lulzim Basha është një politikan me rëndësi protokollare në Shqipëri, por përtej këtij aspekti nuk shihet ndonjë gjë tjetër. Kjo edhe pse ai është rasti tipik i njeriut që operon në sipërfaqe. 

http://www.gazetatema.net/web/2015/10/14/intervista-genc-ruli-cpo-ndodh…