Koalicioni është shumë i qëndrueshëm dhe opsioni i zgjedhjeve të parakohshme është një fantazi e medias. Kështu janë shprehur pas takimit të sotshëm, kryeministri Edi Rama dhe aleati i tij, Ilir Meta. Ky i fundit madje ka përjashtuar edhe ndryshimet e mëtejshme në qeveri. “Sa i përket takimit të sotëm, ne çdo të premte mbledhim njësinë e koordinimit të koalicionit. Sot ishte në fokus progres-raporti. Është progres-raporti më i mirë për Shqipërinë, që e vendos Shqipërinë në një nivel të vlerësueshëm lart edhe në raport me vendet që tani janë në periudhë negociatash. Jemi në fund të një viti dhe në prag të një buxheti të ri dhe kemi diskutuar për ecurinë e disa sektorëve dhe do diskutojmë për ecurinë e sektorëve të tjerë për të siguruar rritjen e cilësisë së qeverisjes. Mos prisni gjë tjetër përveç vendosmërisë për të çuar përpara reformat. Mos prisni asgjë nga ato që fantazoni, analizoni dhe komentoni vetë. Zgjedhjet e parakohshme janë pjesë e kësaj fantazie. Largimi i deputetëve të LSI nga Kuvendi është një tjetër fantazi, nuk ka asnjë arsye për të folur për të tilla broçkulla”, tha Rama. Aleati i tij ka përcjellë qëndrimin e vet të ndryshuar për qeverinë, për të cilën vetëm pak kohë më parë e cilësonte si nevojtare impulsesh. “Duke dëgjuar vërejtjet tuaja për mungesën e takimeve në gumsht, po i kompensojmë me takime më të shpeshta kohët e fundit. Ky është një koalicion shumë i qëndrueshëm. Shqetësimin për mungesën e deputetëve në Kuvend do e kemi në konsideratë. Është bërë një traditë, që ditën e parë që formohet qeveria, kërkohen ndryshime të mëtejshme. Në rastin e Naços, ka qenë një veprim i tij. Të tjerat janë shpikje. Çdo lëvizje dhe ndryshim është bërë një konsultim me kryeministrin,” theksoi Meta.