Roli i medias në Shqipëri është jashtë funksionit që i takon. Kjo është konsiderata e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig. Sipas tij media shqiptare ofron vetëm pamjen e jashtme, por nuk ka përmbajtje që i shërben intersave të publikut dhe njohjes më të gjerë të asaj çfarë ndodh në rajon.
"po ta shohësh nga afër, kupton se ky numër i madh subjektesh mediatike ofron, në fakt, përmbajtje shumë të kufizuar dhe është shpesh i bujshëm e me besueshmëri të kufizuar. Gjithashtu, media përqendrohet shumë në çështjet e brendshme, që rezultojnë në problematika për të cilat publiku mediatik shqiptar ka pak njohuri se çfarë ndodh jashtë Shqipërisë, sidomos në vendet fqinje"- theksoi ambasadori Rauning në një takim për lirinë e medias.
Ai u shpreh se politika ka vonuar transformimin e TVSH-së në një transmetues publik në interes të qytetarëve, duke favorizuar në këtë mënyrë televizionet private.
"Transformimi i RTSH-së në një transmetues vërtet në shërbim të publikut ka hasur në vonesa të mëdha. Parlamentit iu deshën dy vite që të zgjedhë dhe të emërojë anëtarët e Këshillit të ri Drejtues të RTSH-së. Bordi ka tashmë 7 muaj që punon dhe ende nuk është zgjedhur drejtuesi i institucionit"- deklaroi Raunig, duke shtuar se për momentin, në Shqipëri vihet re një disbalancë e theksuar ndërmjet stacioneve televizive private të avancuara, dhe transmetuesit publik kombëtar të margjinalizuar.
Sipas tij vijimi i kësaj situate do të thotë që media publike të mos përmbushë rolin e vet parësor, konkretisht të japë informacion të besueshëm, të veprojë si roje e demokracisë, të ofrojë argëtim cilësor edhe të japë edukim bashkëkohor, në interes të qytetarëve shqiptarë.