Arben Malaj ka reagur ndaj një komenti të Blendi Fevziut për Lëvizjen për Mendimin Ndryshe që dikur tentoi të turbullonte ujërat në Partinë Socialiste. Arben Malaj cilëson se kjo lëvizje “ishte inspirim për njerëzit e mrekullueshëm të vendit tonë dhe jo aritmetikë personale e atyre që e iniciuan”. Malaj flet për faktin se miqësia mes Blushit dhe Ramës solli braktisjen prej të parit të LMN-së dhe reagimin e ekipit që kontrollon PS-në ndaj personave që aderonin në LMN. “Pas 20 vitesh angazhim politik ndjej detyrim edhe ndaj historianëve të shkencave politike, por sidomos ndaj mbështetësve të LMN-së në çdo nivel, të cilët u “persekutuan” edhe në kohë të “demokracisë” për këtë angazhim fisnik. Fatkeqësisht, por është e vërtetë, që ky “persekutim” nisi që në kohën kur miqësia Blushi­Rama lulëzoi, ndoshta edhe nga braktisja e LMN­së. Persekutimi arriti deri aty sa djali i një ish­kolegut tonë, student i talentuar dhe i diplomuar në një universitet perëndimor, u hoq nga puna sapo socialistët erdhën në pushtet, sepse babai i tij u shpall armik i drejtuesve aktualë të PS­-së. E trishtueshme deri në neveri – kjo sjellje, e cila shfaqet shpesh në politikën tonë edhe pas 25 viteve. Ky nuk është një rast i vetëm. Ku dallon këtu persekutimi sot nga ai i viteve të komunizmit?! Pse dëshpërohen disa nga “udhëheqësit” majtas apo djathtas kur analistë vendës dhe të huaj i cilësojnë se kanë mentalitete diktatoriale?!” shkruan Malaj.