Ish-presidenti francez Nikolas Sarkozy ka hedhur hapin e parë drejt rikthimit në presidencën franceze. Zhgënjimi nga Hollande por edhe stepja përballë ekstremit të djathtë i ka orientuar votat e francezëve tek Sarkozy. Fronti NacionaliI Mari Le Pen nuk arriti të ripërsërisë rezultatin e raundit të parë në balotazhin e zgjedhjeve lokale në Francë.

Exit pollet tregojnë se ekstremi i djathtë ka humbur thellë në veri, ndërsa ka marrë rezultate zhgenjyese edhe në jug e lindje të vendit. Kjo pas tërheqjes së socialistëve në dy rajone dhe thirrjes për të mos mbështetur Frontin Nacional. Republikanët e ish-presidentit Sarkozy dhe aleatët e tyre siguruan mbi 57.7 për qind të votave në veri, ndërsa Fronti Nacional 42.5 për qind të votave.

Ekstremi i djathtë ka rritur popullaritetin pas sulmeve terroriste të 13 Nëntorit dhe kjo shihet si një paralajmërim për të gjithë politikanët. Megjithatë Le Pen deklaroi se është e vendosur të ecë përpara pasi askush nuk mund ta ndalë zgjerimin e Frontit Nacional. Edhe Sarkozy në një deklaratë pas daljes së rezultateve të para tha se Republikanët nuk e shohin si triumf rezultatin e zgjedhjeve, por si një avantazh në kohë për të ndarë me francezët shqetësimet lidhur me sigurinë dhe të ardhmen e vendit.