Edi Rama ka sqaruar edhe njëherë pozicionin e tij në lëvizjet demokratike të Dhjetorit, duke shpjeguar dhe arsyet që e ndanë atë nga Partia Demokratike. Në një intervistë të publikuar në gazetën “Shqip” ai lë të nënkuptohet se partia e parë opozitare kishte adoptuar një vijë oportuniste në raport me komunizmin.

“Për mua dhe për ne që të themi ishim krahu radikal I lëvizjjes që vinim nga Akademia e Arteve, përjashto ndonjë individ të veçantë, ishte e pamundur që të pranonim si përfaqësuesen tonë Partinë Demokratike. Dhe refleksionet lindën si nevojë për reflektim, jo si një bërthamë e një partie politike, por si një hapësirë për t’u dhënë zë të gjithë atyre që nuk gjenin hapësirë në kutinë ku u fut Partia Demokratike”-theksoi Rama

Ai thotë se Akadameia e Arteve ka rolin e vet në përmbysjen e diktaturës me provokimet që i bënte regjimit përmes artit të ndaluar.

“Ndihej qartë që frika e kishte prekur atë nomenklaturë, deri aty tërësisht inerte dhe mendjemadhësisht të bindur që do t’i rezistonte asaj dallge të madhe dhe nga ana tjetër përshkallëzimin në Akademinë e Arteve të një procesi pikërisht për të matur hapat dhe për të parë sesa i fortë ishte ai regjim duke provokuar në vazhdimësi përmes vënies në funkison të elementëve të artit të ndaluar “-shton Rama

Kryeministri thotë se është i shqetësuar që komunizmi nuk është ka gjetur akoma vendin që meriton në kujtesën historike të shqiptarëve.

“Mua më ka shqetësuar gjithmonë mungesa e vullnetit për t’i dhënë vendin e vet në kujtesën tonë historike, të gjithë asaj barbarie që ishte regjimi komunist. Dhe hapja e dosjeve është një hap shumë i rëndësishëm përpara, ashtu siç hap shumë i  rëndësishëm përpara është krijimi i një institucioni të mirëfilltë i arkivimit të kujtesës historike të komunizmit”