Mbrëmë familja kryeministrore ka shtruar një darkë për gazetaret femra, një ndarje gjinore kjo e zgjuar për të nikoqirisur opinionin. Idea është e thjeshtë dhe gati humanitare: edhe në fushën e gazetarisë, femrat mund të sjellin ndryshimin për mirë. Dhe siç raportohet, znj. Linda Rama ka folur, si femra femrës ndoshta, për problemin që po përfaqëson media, blogjet dhe gazetarët për humorin e përgjithshëm të shoqërisë. Sesi fjala që përhapet prej tyre ndikon të gjithë, e sigurisht, edhe kryeministrin tonë të dashur e sensibël.

Thotë Linda Rama: “Kam filluar të besoj se i gjithë humori i ditës së njerëzve në kafenenë e vogël tek rruga e punës time, ku pi prej 15 vitesh me të njëjtët miq kafenë time të mëngjesit, do të përcaktohet nga fakti se si janë gdhirë ata që sot janë të kudondodhur nëpër studio, blogje, gazeta. Të cilët edhe kur nuk janë aty, mjafton të teshtijnë në profilin e tyre, dhe fap, shfaqen kudo ku është e mundur të na shfaqet lajmi që duan të na japin apo mendimi dhe përjetimi që duan të na tregojnë: jo vetëm në televizor, por edhe në tavolinë, në çantë, në xhep, përmes telefonit që lajmëron se dikush erdhi pa pyetur, drejt e në jetën tënde. Ma thoni ju nëse e mendojnë gjatë apo shkurt, efektin që fjala ka në mendjet apo botën emocionale të atyre që e dëgjojnë. Por përshtypja ime është se e vetmja gjë që me siguri mendojnë, është që fjala e lëshuar të bëjë sa më shumë efekt negativ tek ne, në raport me dikë, apo me disa të tjerë”.

Natyrisht që fjala ka ndikim. Natyrisht që edhe puna e gazetarëve nuk është ajo që duhet të ishte. Ka tendencë, ka anësi, ka gabime. Por fjala nuk mund të ndikojë aq sa ndikon vendimi që marrin institucionet, qeveria, e cila vetëm gjatë vitit 2015 ka ecur si në rally. Varfërinë dhe papunësinë nuk e shpikin gazetarët, problemet nuk amplifikohen rrugës; ato janë aty dhe po rëndohen. Po rëndohen sidomos kur shihet luksi prej nga ku mbahen ligjërime të tilla. Meqë jemi te fjala vlejnë edhe disa konsiderata për këtë sjellje fare pa takt që zhvillon familja në fjalë: vitin e kaluar kryeministri shtroi ballon për mediat dhe me pabesinë e tij karakteristike, i parapriu asaj me një varg rromuzesh dhe mesazhesh cinike krejt të pavenda. Mbrëmë ishte radha e zonjës të mbante leksionin e vet, për të na kujtuar ndoshta delikatesën njerëzore që qëndron pas “burrit të fortë” të shtetit shqiptar. Është fare pa vend kjo "pedagogji morale": në tavolinë njerëzit flasin miqësisht, nuk u jepet porosia, as edhe kritikohen. Sidomos kur listën e të ftuarve e ke bërë vetë. Po me sa duket kjo kërkesë për 'paqe' me mediat dhe nga mediat, është shenja e mirë se kryeministri është lexues i rregullt dhe madje i përjeton shkrimet si adoleshentet e provincës romanet e Stendalit.