Banka e Shqipërisë ka vendosur që t’i vëjë kapak vjedhjes së 713 milionë lekëve në arkën e saj, nga punonjës të saj, duke e faturuar rikuperimin e shumës te qytetarët shqiptarë. “Top-Channel” raporton se BSH-ja ka deklaruar vjedhjen si humbje në bilanc, një ndryshim fakti ky për para që janë të vjedhura dhe duhet t’i ngarkohen fajtorëve. Lidhur me këtë ka reaguar Kontrolli i Lartë i Shtetit që “në raportin e fundit të auditimit thotë se kjo është e parregullt dhe përbën një shkelje të pastër të displinës financiare”.  “Sipas KLSH, përmes klasifikimit si humbje në bilanc, Banka e Shqipërisë praktikisht i ka vënë kapak çështjes së vjedhjes duke mbyllur ligjërisht edhe cdo përpjekeje për rekuperimin e shumës së plotë apo të pjeshme të parave që u vodhën”, cilëson KLSH. Banka ka dalë me pretendimin e njohur tashmë se klasifikimin e vjedhjes si humbje në bilanc, e ka sugjeruar FMN-ja.  Kërkesës së KLSH-së për të vënë në dispozicion kërkesën e Fondit, Banka i është përgjigjur me refuzim. Kështu vjedhja nga më të mëdhatë dhe më të turpshmet në një nga institucionet kryesore të atij që njihet si shteti shqiptar, po degradon në çështje procedurash dhe në amnistri reale për të gjithë.