Poetja që u vlerësua me çmimin Lumo Skëndo, Rita Petro ka komentuar reagimet e shumta që ngjalli dhënia e çmimit për librin e saj "Vrima". Duke i quajtur mllefe komentet në rrjetet sociale apo rrethet mediatike ajo e quan çmimin produkt të politikës mendjehapur që po ndjek Ministria e Kulturës dhe personalisht ministrja Kumbaro që vjen nga rrethet letrare. Poetja ndoshta pa dashur ka zbuluar se çmimet letrare janë atribut i ministrave e shijeve të tyre dhe jo i jurive që ngrihen për këtë qëllim, duke përgënjeshtruar si drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani ashtu dhe kryetaren e jurisë Dhurata Shehri që thanë se ministrja Kumbaro nuk ka gisht në këtë çmim.
"Lidhjet e mia me politikën lënë shumë për të dëshiruar… po unë po ju them diçka, se sikur ministrja aktuale e Kulturës të mos ishte mendjehapur, sigurisht nuk do të më jepte çmim, pasi në poezinë time nuk mungojnë mesazhe të tilla poetike"- shprehet Petro në një intervistë për Gazeta Shqiptare.
Sipas saj vargjet e përzgjedhura janë nxjerrë jashtë kontekstit nga poema e parë dhe është abuzuar me të… "Në “Poemën e fundit për dashurinë” ato vargje që janë aq të drejtpërdrejta dhe të thata, stilizohen në mënyrë të tillë, me qëllimin që të godasin, sikurse në jetë. Vajza është ushqyer me përralla dhe askush nuk i ka folur për aktin seksual. Dhe ai mbetet i tillë në vetvete, pa mundur të kombinohet më vonë me ndjenjën e vërtetë të dashurisë. Të njëjtën gjë ndjeva dhe unë me turmën dhe disa media, që ma përplasën në fytyrë vargun tim: “Tani je në dorën time!”"-Shprehet poetja. Ajo thotë se turma u acarua nga disa media dhe grupi i atyre që shkruajnë gjithnjë për inate politike, grupi i atyre që janë aktivë në fushën e letërsisë e ndihen të konkurruar dhe, së fundi, grupi i njerëzve që kanë shije tjetër për letërsinë.