Zyrtarët e lartë në Shqipëri dhe ish-zyrtarët të dyshuar për korrupsion do të hetohen nga një prokurori speciale. Në dokumentin e plotë të ndryshimeve kushtetuese për reformën në ndrejtësi, në nenin 53 parashikohet një strukturë e posaçme antikorrupsion me prokurorë të pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm, që zgjidhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve. Madje, do të jenë prokurorët e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion që do të kenë në varësi Byronë Kombëtare të Hetimit.
Drafti për ndryshimet kushtetuese përcakton edhe monitorimin ndërkombëtar të Drejtësisë. Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka të drejtë të emërojë vëzhgues ndërkombëtarë në të dyja shkallët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Ai kryesohet dhe vepron nëpërmjet Komisionit Europian që koordinon ndihmën ndërkombëtare”, thuhet në projektin për ndryshimet kushtetuese. Vëzhguesit ndërkombëtarë do të jetë filtri kualifikues i çdo vendimi të komisioneve që do vlerësojnë gjyqtarët dhe prokurorët.
Drafti për ndryshimet kushtetuese zbulon kohën gjatë së cilës do të bëhet pastrimi i Drejtësisë nga të korruptuarit dhe të paaftët. Drafti përcakton periudhën 1 janar 2016 deri më 31 dhjetor 2019 gjatë së cilës do të bëhet pastrimi i radhëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk duhet të jenë në Drejtësi.
Për këtë, gjyqtarët dhe prokurorët do të analizohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në bazë të performancës dhe justifikimit të pasurisë së deklaruar prej tyre. Të gjithë komisionerët do të kenë të njëjtin status me atë të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, gjatë gjithë mandatit dhe një pagë bruto prej 600.000 lekësh në muaj raporton Panorama.