Pas dështimit të takimit të përjavshëm mes tyre  dhe një ditë pasi kryemistri Rama rideklaroi për të disatën herë distancimin e tij nga tryeza e ekspertëve dhe e trajtoi qëndrimin e opozitës si qëndrim të Saliut dhe Lulit, Ilir Meta mbajti qëndrim të qartë politik për reformën në drejtësi, duke e trajtuar opozitën dhe kërkesat e saj institucionalisht. Ai tha se nuk duhet ecur me parimin e faktit të kryer, duke lënë të nënkuptohet se pozicionimi i Ramës nuk çon drejt një konsesusi të nevojshëm për një reformë kaq jetike për të ardhmen e vendit.  Ilir Meta i foli për konsensus politik në Kuvend si dhe për t'i dhënë hapësirën e nevojshme PD-së. Megjithëse ekspertët e nivelit të lartë kanë hartuar një draft pa pëlqimin e opozitës, ky dokument duket se nuk do të jetë përfundimtar, për aq kohë sa aleati më i rëndësishëm i PS-së, nuk jep garanci që do ta votojë atë. “Për reformën në drejtësi, jemi të pozicionuar qartë për konsensusin. Konsensusi politik në Kuvend për amendamentet kushtetuese është i domosdoshëm jo si çështje numrash por bashkim vullneti i forcave parlamentare si përfaqësues i republikës, 90% e të cilave kërkon ndryshime në sistemin e drejtësisë. Është koha e çeljes së dialogut politik parlamentar për arritjen e një dokumenti të gjithëpranuar nga ndërkombëtaret dhe Venecia. Duhet të krijojmë hapësirën e nevojshme për opozitën që të jetë e përfshirë në dialog e të kontribuojë, detyrim i pashmangshëm i opozitës të kontribuojë në këtë dialog me profesionalizëm dhe jo populizëm, për zgjidhje që i shërbejnë përmirësimit të sistemit dhe jo bllokimit të tij”, tha Meta në mbledhjen e kryesisë së LSI-së. Megjithatë në fund të fjalës së tij, Meta la të hapur edhe variantin e referendumit, por pa e përmendur si fjalë. “Për të gjithë ata që duan të luajnë ne këto sugjerime do t’ia japim publikut, në mënyrë që ata që sugjerojnë me mendje të kthjellët”.