Austria ka vendosur të anullojë përkohësisht rregullat për lëvizjen e lirë në Evropë dhe forcojë kontrollin e njerëzve të cilët kërkojnë të hyjnë në vend. Kjo u njoftua nga kancelari Verner Fejman në një intervistë për gazetën OESTERREICH.

Sipas tij, menjëherë do të fillojnë kontrollet e dokumenteve të identifikimit në kufijtë austriak. “Nëse BE-ja dështon të krijojë siguri për kufijtë e saj të jashtëm, e vë Shengenin në pikëpyetje. Kështu çdo shtet i BE-së do të detyrohet të kontrollojë kufijtë e vet”, ka theksuar ai.

Ky vendim, sipas tij, vjen si pasojë e krizës me refugjatë dhe pamundësisë për të kontrolluar lëvizjen e tyre brenda zonës “Shengen”

Austria është vendi i tretë në BE që pezullon lëvizjen  Shengen që nga fillimi i vitit 2016. Më 4 janar Suedia e para dhe pastaj Danimarka miratuan masa të ngjashme. Suedia vendosi t'i japë leje qëndrimi të përkohshme dhe ka komplikuar procesin për bashkimin familjar. Në të njëjtën ditë kryeministri danez njoftoi rritjen e  kontrolleve në kufi.