Një pyetje 450 milion dollarëshe

Edhe pse inspektimet tatimore janë shtuar muajt e fundit në dyqanet e vogla, shitësit herë ta japin kuponin e herë jo. Pra, jo e gjithë xhiroja e tregtisë me pakicë raportohet tek autoriteti tatimor.

Dhe kush përfiton më shumë nga mosraportimi i plotë i xhiros? Jo bizneset e vogla, por ato të mëdha. Sa më shumë xhiro nuk raportohet nga bizneset e vogla, aq më shumë tunele të vogla kanë në dispozicion bizneset e mëdha për të kanalizuar lumin e tyre të mallrave që i kanë shpëtuar sitës së TVSH-së.

Jo më kot përdora fjalën “lumë”për mallrat që i shpëtojnë TVSH-së. Në Shqipëri, të ardhurat nga TVSH-ja janë sa 9% e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në Malin e Zi të ardhurat nga TVSH-ja janë sa 12% e vlerës së PBB. Pra Shqipëria ka një rendiment të mbledhjes së TVSH-së sa 2/3 e Malit të Zi. Ose ndryshe, ne mbledhim nga TVSH-ja 450 milion dollarë ne vit me pak sesa po te kishim rendimentin e Malit te Zi.

Pse ndodh kështu? A mos Mali i Zi zbaton një normë TVSH-je më të lartë se Shqipëria? Përkundrazi, norma atje është 0% për zanatçinjtë, ambulantët, kioskat, farmacitë, ambulancat dhe spitalet, 7% për mallrat e shportës së domosdoshme, dhe 19% për të tjerat, ndërsa tek ne është 20%, me disa përjashtime.

Me fqinjin tonë verior kemi të ngjashme shumë gjëra – gjeografinë, historinë, kulturën, ekonominë, sistemin fiskal dhe politikën. Madje, sipas Transaparency International, edhe nivelin e korrupsionit e kemi të ngjashëm… Atëherë, pse ne kemi një rendiment sa 2/3 e malit të Zi në mbledhjen e TVSH-së?

Përgjigjia mund të gjehet tek teknologjia e ndryshme që përdorin autoritetet tatimore të fqinjëve. Teknologjia jonë (sistemi Nexus) nuk lejon kontrollin automatik të xhiros së dhjetra mijëra bizneseve në kohë reale, ndërsa i fqinjëve e lejon këtë gjë. Ne bazohemi kryesisht tek inspektimet fizike, ndërsa fqinjët tek inspektimet kompjuterike. Si rezultat, ne kemi një rendiment sa 2/3 e fqinjëve në mbledhjen e TVSH-së.