Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri deklaroi në Komisionin Parlamentar të Ligjeve se projektligji propozuar nga qeveria për regjistrimin e emigrantëve nuk u jep atyre të drejtën e votës, por është një borxh që Shqipëria u ka atyre për kontributin e dhënë në vite. Sipas Tahirit, drafti që propozohet është një akt patriotik pasi përmirëson shërbimet për emigrantët shqiptarë dhe shteti ka një regjistër se ku jetojnë shqiptarët.
"Për të shkuar tek vota e emigrantëve, fillimisht duhet të dimë kush, sa dhe ku banojnë emigrantët tanë. Kështu e ka bërë gjithë bota, nuk është se po shpikim ne. Por nëse kjo ndodh apo jo, varet nga sistemi i reformës në sistemin zgjedhor. Kjo varet nëse ata që janë mandatuar nga Parlamenti për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme për qytetarët shqiptarë do i marrin këta njerëz në konsideratë, që edhe emigrantët më në fund të votojnë"-deklaroi Tahiri.
Ai shtoi më tej se e rëndësishme është që emigrantët të marrin shërbime cilësore nga shteti amë, ndërsa për të drejtën e votës ndoshta do të ketë një draft tjetër ligjor në të ardhmen.
Tregohemi patriotë më të mirë në rast si u garantojmë emigrantëve shërbime më të mira, shërbimet elementare. (Se tek shërbimet më pas futet dhe e drejta e votës, për të cilën mendimi im është absolutisht po - por kjo është një çështje që nuk e trajton ky projektligj).