Siç pritej qeveria miratoi propozimin e Ministrisë së Financave për krijimin e njësive të auditit të brendshëm për ministritë dhe institucionet e varësisë të organizuara me degë territoriale dhe bashkitë. Krahas këtij vendimi qeveria ka miratuar në mbledhjen e datës 3 shkurt, edhe kriteret që duhet të plotësojnë punonjësit e administratës publike, për t’u përzgjedhur si inspektor financiar publik. Përveçse të jenë të pajisur të paktën me diplomë universitare “Master i Shkencave” ose ekuivalente me të dhe të ketë të paktën 5 (pesë) vite përvojë profesionale në njësitë publike, qeveria përcakton se nuk mund të angazhohen për inspektim financiar publik punonjës të administratës publike që ushtrojnë funksionet e titullarit të njësisë publike, nëpunësit autorizues, gjyqtarit, prokurorit, oficerit të policisë gjyqësore, audituesit të brendshëm dhe punonjësit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky i fundit ka evidentuar shkelje 1.2 miliardë lekë në dy vite të qeverisjes duke kallëzuar penalisht zyrtarë të lartë të qeverisë aktuale, përfshirë ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri për dëm në vlerën e 479 milionë euro nga marrëveshja e mirëkuptimit me CEZ. KLSH ka raportuar shkelje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucione të tjera si Agjencia Kombëtare e Turizmit, titullarja e të cilit, Julinda Dhame po ashtu është kallëzuar penalisht. Ndoshta për të shmangur të tilla surpriza qeveria ka vendosur që para kontrolleve të KLSH-së të kalojë në duart e audituesve të saj fondet publike të ministrive dhe institucioneve në varësi të saj.