Me një njoftim të papritur dhe kur kryeministri e kishte quajtur të mbyllur kapitullin e ndryshimeve në qeveri, zyra për shtyp e kreut të qeverisë informoi shkarkimin e Ministrit të Financave, Shkelqim Cani dhe emërimin në vend të tij të ministrit aktual të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Mbeten të paqarta arsyet e shkarkimit të Shkëlqim Canit, komunikimi i të cilit me kryeministrin mësohet se nuk ka qenë në ditët më të mira. Më poshtë njoftimi për shtyp i kryeministrisë:

Kryeministri Edi Rama i shprehu sot Ministrit të Financave Shkëlqim Cani, falënderimet e tij për angazhimin, profesionalizmin dhe integritetin e plotë në kryerjen e njërës prej detyrave më të vështira qeverisëse të këtij mandati.

Kryeministri e informoi ministrin Cani për vendimin e zëvendësimit të tij me një koleg tjetër dhe i kërkoi vazhdimin e angazhimit të tij, me të njëjtin profesionalizëm e përkushtim, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë e Financave.

Ministri Cani e falënderoi nga ana e tij Kryeministrin për besimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në kapërcimin me sukses të situatës së rëndë financiare të trashëguar dy vjet e gjysëm më parë, si edhe e siguroi për vazhdimin me përkushtim të plotë të angazhimit të tij politik e profesional si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Detyrën e Ministrit të Financave, Kryeministri do t'ia besojë Z. Arben Ahmetaj, ndërsa detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do t'ia besojë Znj. Milva Ekonomi.