Dikur ishte Lëvizja “Mjaft” që kundërshtonte me protesta të formave të ndryshme vendime apo nisma të qeverisë Nano në emër të shoqërisë civile. Drejtuesit kryesor të saj u katapultuan më vonë në politikë, me shembullin më tipik, kryetarin e lëvizjes Erion Veliaj, sot është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe kryetar në perspektivë i Partisë Socialiste apo emra të tjerë si Arbian Mazniku, Elisa Spiropali që u përzgjodhën nga kryeministri Rama për të çuar përpara programin e Rilindjes.

Koha vërtetoi se në emër të shoqërisë civile ata përdorën protestat për të çuar përpara axhendën e tyre personale. Vijmë te protesta e kësaj të diele në parkun e Liqenin Artificial ku u tha se protestues të shoqërisë civile u përplasën me policinë, pasi janë kundër prerjes së pemëve dhe ndërtimit të këndit të lojrave në këtë hapësirë të kryeqytetit. Në parantezë, kjo protestë ngjason shumë me protestat e shoqërisë civile gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ku asokohe shoqëria civile përfaqësohej nga Artan Lame apo Artan Shkreli, sot njëri drejtor i Agjencisë së Legalizimeve dhe tjetri këshilltar pranë kryeministrit. Ngjashmëria është se në të dyja rastet flitet në emër të qytetarëve.

Po kush janë përfaqësuesit e shoqërisë civile që protestojnë për këndin e lojrave në Parkun e Liqenit Artificial? Palët që pretendojnë se përfaqësojnë shoqërine civile u përplasën pas një takimi me kryeprokurorin Adriatik Llalla, ku deklaruan se veprojnë të ndara nga njëra-tjetra. Sazan Guri, ekologjist me komunikim të hapur me LSI-në dhe Zirkon Disha, i afërt me Partinë Demokratike u prezantuan si grupim më vete që kërkon ndalimin e projektit të bashkisë për Këndin e Lojrave, ndërsa Eljan Tanini si aktivist më vete që deklaroi se  do të bëjë kallezim penal ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj për shpërdorim detyre dhe prerjen  e pemeve.  

Të tre personazhet janë fytyra aktive në protesta si ajo për armët kimike, lumin Radika apo ndërtimin në digën e Liqenit Artificial, ku seicili ka promovuar grupimin e tij për ta bërë sa më të njohur dhe të aksesueshëm në projekte që ndihmojnë me fonde shoqërinë civile. Në reagimin e ish-kryeministrit Berisha për protestën, ku flitet për dhunë dhe terror policor përmendet emri i njërit prej veprimtarëve të shoqërisë civile. “Dhune, terror policesk, hekura, shqelma, grushta e shkopinj, arrestime te gazetareve, veprimtarve te shoqerise civile si Zirkon Disha, qytetareve te thjeshte, me urdher te Rames nga çunat e tij te krimit per fajin e vetem se ata po mbronin sot mushkrite tona, pra te Tiranes, parkun e Liqenit nga mafia e betonit Rama – Veliaj”-shkruan Berisha në postimin e tij, mesa duket jo pa qëllim. Edhe roli aktiv i Adriatik Lllallës në këtë histori e kompromenton disi kauzën që është përqafuar edhe nga kryeprokurori i Republikës, njeri i mbështetur nga LSI. Nuk është çudi që në ditët në vijim të shohim në kacafytje me policinë edhe Aleancën Kuq e Zi.

Kundërshtia për ndërtimin e një këndi lojrash në Parkun e Liqenit Artificial mund të jetë një kauzë e drejtë dhe ndoshta shumë qytetarë besojnë se është në dëm të kryeqytetit, por udhëheqësit e protestave të shoqërisë civile ngrenë shumë pikëpyetje mbi axhendat politike dhe personale të këtyre lloj protestave. Një skemë që kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e njeh mirë dhe që tani po i kthehet nga shoqëria civile me të njëjtën monedhë.

l.m