Është shoqëruar me tensione takimi i Partisë Socialiste në Elbasan. Sipas zakonit të vjetër të asaj partie, “disidenti” i radhës nuk është thirrur në takim, por kësaj radhe Ben Blushi, që është kthyer nga “komentator” në armik të PS-së, sipas një formulimi parafabrikat të Taulant Ballës, ka shkuar vetë në mbledhje. Siç raportohet në takim ka folur kryetari i PS-së, Edi Rama, mandej është ndërprerë transmetimi me regji, janë nxjerrë jashtë gazetarët, pasi të gjithë duhet të jenë të kënaqur që për popullin mjafton fjala e kryetarit. Të tjerat “i di Partia”. Po çfarë ka ndodhur aty brenda? Këtë e sqaron Blushi: “Partia Socialiste nuk është pronë e një njeriu të vetëm. I drejtohem Ramës tani këtu përballë: Përse nuk do zgjedhje? Duhet që të ketë zgjedhje për kryetarin e Partisë Socialiste, këtu nuk ka demokraci, por banditë që duhet të largohen. Nuk vij në Elbasan sepse ndihem i turpëruar. Nuk kam frikë të them të vërtetën, fërshëlleni sa të doni”, ka thënë deputeti socialist për të shtuar më pas se: “Salla kishte tension, por unë nuk jam arsyeja. E kuptoj që njerëzit janë të varfër, ka një acarim të përgjithshëm. Nëse do të ishte salla më e qetë do i shpjegoja më shumë se çfarë kërkoja. U drejtova duke u thënë se bëjnë shumë mirë që vijnë në PS. Iu drejtova personalisht Edi Ramës brenda në sallë duke i thënë shpjegoi këtyre njerëzve pse nuk do të votohesh. Njerëzit që fishkëllenin për Berishën ishin sot në sallë. Partia nuk është pronë e një njeriu të vetëm”.

Pala tjetër nuk ka thënë asgjë, por ajo që ndodhi në Elbasan para disa ditësh e bën të besueshëm këtë version. Këto janë shenja degradimi; Të organizosh njerëz për të fërshëllyer një njeri të vetëm, apo qoftë edhe një grup, kjo do të thotë se jemi para fundit. Një fund që vlen për ata që kanë shpresuar, pasi për ata që e njohin nga afër një parti ku vazhdon e vendos Namik Dokle, Gramoz Ruçi e ku përdoret për të bërë të qeshin njerëzit Pandeli Majko e ndonjë tjetër, nuk është më shpresë për asgjë përveçse për ndonjë interes të caktuar. Çfarë bën përshtypje dhe është ogur i mirë është se edhe Fjala i shqetëson shumë pushtetarët në Shqipëri, edhe kur ajo vjen nga një njeri si Ben Blushi që ka zhgënjyer edhe të pashpresët. Dhe kur Fjala shqetëson dhe tremb shenjat janë se pushteti ka siklet, nuk do të dëgjojë asgjë më dhe i druhet garës. Ndryshe nga sa kërkon të shfaqet.