Teksa pala shqiptare pret ekstradimin e Françesko Beketi i akuzuar për pastrim parash dhe një skemë mashtruese të shmangies nga detyrimet fiskale, arbitrazhi ndërkombëtar i ka dhënë të drejtë biznesmenit italian. Sipas asaj që shkruan gazeta Panorama por edhe një postimi në faqen zyrtare të klubit të futbollit Leyton Orient, qeverisë së Shqipërisë i është kërkuar të “ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të pezulluar” procedurat e ekstradimit nga Londra të Françesko Beketit pronarit të Agon Channel TV dhe Mauro De Renzis, administratorit të tij.
Kërkesa vjen pas një seance dëgjimore të arbitrazhit përpara Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve për Investimet (“ICSID”).
Sipas vendimit, trupa e Gjykatës së Arbitrazhit e përbërë nga tre anëtarë, rekomandoi gjithashtu që Shqipëria të pezullojë procedurat vijuese penale kundër Paditësve të kësaj çështjeje dhe që të dyja palët të arrijnë në një marrëveshje mbi ruajtjen e aseteve te Paditësit, që kanë qenë të sekuestruara nga shteti Shqiptar, përgjatë gjithë kohëzgjatjes së arbitrazhit.