Në emisionin e mbrëmshëm të Sokol Ballës në Top Channel, Ben Blushi bëri shumë kritika ndaj Edi Ramës, si kryeministër dhe si kryetar i PS-së. Ndërkohë që disa kritika të tij mund të jenë të drejta e disa të tjera mund të hanë debat, njëra ishte shumë, shumë demagogjike – ai e kritikoi qeverinë Rama për diçka që ka votuar vetë tre herë.

Blushi e kritikoi qeverinë Rama se e ka rritur borxhin publik me 1.6 miliardë euro.

Së pari kjo nuk është e vërtetë. Borxhi publik është rritur 1.2 miliardë euro që kur ka filluar punë qeveria Rama, e jo 1.6 miliardë – bëhet fjalë për një diferencë prej 400 milionë eurosh këtu.

Së dyti, borxhi publik nuk është diçka që merret fshehtazi nga qeveria. Në fillim të çdo viti, ajo paraqet buxhetin në Kuvend, ku votohet nen për nen. Dhe në të tre buxhetet që ka paraqitur qeveria Rama, ashtu si në buxhetet e të gjitha qeverive paraardhëse të kohës së demokracisë, është planifikuar deficit buxhetor. Pra, janë planifikuar shpenzime më të mëdha sesa të ardhurat. Pra, është planifikuar që të merret borxh i ri për të mbuluar diferencën mes shpenzimeve dhe të ardhurave. Dhe Ben Blushi ka votuar pro këtyre buxheteve, një për një, ashtu siç ka votuar për 8 buxhetet e qeverive Nano-Majko-Meta.

Në qoftë se Blushi ishte i shqetësuar për rritjen e borxhit publik, pse nuk votoi kundër kur u miratuan buxhetet e qeverisë Rama në Kuvend? Ose të paktën të diskutonte kundër rritjes së borxhit. Për shembull, ai mund të sugjeronte që të uleshin shpenzimet për pagat, pensionet, invetimet etj., në mënyrë që shpenzimet të barazoheshin me të ardhurat në buxhetet për të cilat votoi. Ose mund të sugjeronte që të rriteshin taksat në paketën fiskale, në mënyrë që të ardhurat të barazoheshin me shpenzimet buxhetore.

Blushi e di mirë se çdo qindarkë e borxhit të ri që planifikon qeveria Rama kalon nëpër sitën e FMN-së. Dhe në qoftë se FMN-ja nuk do të kishte qenë dakord qoftë edhe për një qindarkë të tij, nuk do t’i kishte miratuar 7 këstet e kredisë së butë për qeverinë Rama, që kapin shumën 227 milionë euro deri më sot.