Ndryshimi i formulës së zgjedhjes së Drejtorit të Radiotelevizionit Publik Shqiptar sipas presidentit të Republikës Bujar Nishani bie në kundërshtim me parimin e pavarësisë së këtij transmetuesi publik dhe kësisoj duhet rishikuar neni përkatës në ligjin e miratuar në datën 10 Mars në kuvend. Në relacionin shoqërues të dekretit për kthimin mbrapsht të ligjit në fjalë, presidenti sqaron se ndryshimi ligjor parashikon pesë raunde për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, ku në tre tre raundet e para kërkohet një kuorum prej 3/5 e të gjithë anëtarëve të KDRTSH-së dhe në dy raundet e tjera shumicë e thjeshtë. Sipas tij një zgjidhje e tillë krijon premisat e zgjedhjes së një personi të parapëlqyer nga mazhoranca në KDRTSH, i cili gëzon votbesimin e supermazhorancës parlamentare. Nishani thotë se për të realizuar qëllimin, mazhoranca politike duket se ka gjetur një zgjidhje përmes ligjit të ri, që thyen konsensusin që duhet të arrihet për të garantuar pavarësinë e RTSH-së.
Ligji i vjetër për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” u miratu pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 dhe sipas Nishanit ishte baza e duhur për një transmetues publik të ringritur. Kuorumi në 2/3 i anëtarëve të KDRTSH-së ishte kushti i vendosur nga opozita parlamentare si dhe më pas konsensusi i arritur mes forcave politike me qëllim garantimin e menaxhimit të pavarur profesional të RTSH-së.