Politika flet gjithmonë në emër të popullit. Kësaj radhe foli populli për politikën. Natyrisht me vote dhe pjesëmarrje. Referendumi i Partisë Socialiste që u mbajt këtë të dielë ka një veçori sepse mobilizoi atë që mund të quhet populli pushtetar, i cili është vështirë të angazhohet në kauza partiake ndryshe nga populli opozitar që me një fërshëllimë mblidhet në seli apo në shesh. Dhe me pjesëmarrje thuajse plebishitare u vendos që kryetari ka të drejtë. “As unë e as shumica dërrmuese e shokëve e shoqeve të trupës drejtuese të PS, nuk kemi dyshuar asnjë çast se anëtarët e familjes sonë politike që, bashkë me qindramijëra qytetarë të tjerë, na dhanë besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm, për të drejtuar qeverinë e Shqipërisë pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit, e kanë mirëkuptuar e mbështetur plotësisht mosmbajtjen e zgjedhjeve për kryetar partie pas marrjes së detyrës së kryeministrit nga ana ime. Por referendumi i sotëm, e konfirmoi katërcipërisht bindjen tonë, ashtu sikundër mbështeti me një "PO" shumë të fuqishme, vendimin e kongresit të ri për ndryshimin përkatës në statutin e Partisë Socialiste, lidhur me mandatin e kryetarit kur ky i fundit ka edhe detyrën e kryeministrit”-shkruan Rama për fitoren e tij në facebook.