Çështja e refugjatëve sirianë është rimarrë sot nga gazeta greke “Kathimerini” përmes një shkrimi të Evangelos Venetis. Po sjellim një pjesë nga ajo që ka përkthyer gazeta “Mapo”: “Shqiptarët e mbajnë mend, se Greqia, ndryshe nga Italia, i hapën kufijtë dhe grekët e Epirit pritën qindra e mijëra refugjatë shqiptarë me mikpritje, duke iu dhënë ushqim, ujë dhe strehë, duke iu garantuar akomodim dhe duke i ndihmuar ata për të shkuar më në jug, drejt qendrave më të mëdha urbane të Greqisë. Grekët iu dhanë atyre punë dhe ata si përgjigje ndaj kësaj e ndihmuan ekonominë greke të rritet në mënyrë të mëtejshme. Në Greqinë e sotme të goditur nga masat shtrënguese ka qindra mijëra punëtorë shqiptarë që dërgojnë të ardhura të konsiderueshme në shtëpitë e tyre. Duke e kuptuar se çfarë do të thotë të jesh refugjat, shumë grekë bënë asokohe atë që po bëjnë edhe sot. Por çfarë po bën qeveria shqiptare?
Ndërkohë që populli shqiptar e ka ruajtur kujtesën kolektive të kësaj periudhe, kryeministri shqiptar Edi Rama duket se e ka harruar. Për pasojë, ai ka shtuar sigurinë në kufirin me Greqinë, teorikisht duke iu refuzuar hyrjen refugjatëve që kanë ngecur në terrirorin grek. Duket se kryeministri shqiptar nuk i dëgjon deputetet e tij socialistë, duke u sjellë në një mënyrë jo socialiste dhe duke i dhënë shkak kundërshtarëve brenda partisë së tij që ta sfidojnë, pasi e dinë se populli shqiptar e mendon ndryshe nga ai. Puna është se në vend që së pari të bashkëpunojë me Greqinë fqinje mbi baza reciproke, z. Rama parapëlqen që t’ia besojë sigurinë e territorit shqiptar Italisë, duke harruar ngjarjet e 1991-shit dhe duke dhënë përshtypjen se Shqipëria nuk është e aftë ta menaxhojë vetë sigurinë e saj…Në ditët e sotme, kriza e refugjatëve që po zhvillohet mbart kujtime të forta si për grekët ashtu edhe për shqiptarët. Që të dy popujt kanë besë, apo besim. Sot, nëpërmjet Edi Ramës, Shqipërinë e ka ftuar historia që t’i japë besën grekëve. Nëse Z. Rama refuzon që të kujtojë, ai do të harrohet nga vetë populli i tij”.
Ndoshta Venetis është njeriu i vetëm në planet që kërkon një lidhje mes Edi Ramës dhe Besës, e cila implikon përgjegjësi të mëdha.