Në përballjen për ndërtimin te Parku i Liqenit në Tiranë, “ka hyrë” në lojë edhe Presidenti i vendit, Bujar Nishani. Zyra për shtyp e Presidencës, njofton se Nishani ka pritur në një takim në zyrën e vet, një përfaqësi të qytetarëve “të angazhuar në mënyrë aktive në denoncimin dhe kundërshtimin e ndërtimit tek parku i Liqenit të Tiranës si dhe të procedurave që po ndiqen në brendësi të hapësirës së gjelbër të këtij parku”.

Presidenti ka marrë qëndrim të hapur kundër ndërtimit kur ka vlerësuar se “kjo kauzë dhe të gjithë elementët që kanë dalë prej saj duhet të sensibilizojnë e motivojnë të gjithë aktorët e shoqërisë; politikbërës dhe qytetarë, pa dallime”. Madje Presidenti u ka kërkuar qytetarëve, të cilët e ftuan në protestën e tyre, që të “vijojnë dhe shprehin lirshëm mendimin e tyre në mbrojtje të çështjeve të mjedisit, por edhe për ligjshmërinë e të gjithë procesit të ndjekur për projektin ndërtimor në brendësi të parkut të Liqenit në Tiranë”. Një veprim që i shtohet kallëzimit penal për projektin në fjalë.