Fatos Lubonja shkruan sot në “Panorama” një opinion mbi situatën e fundit në vend, ku po dominon si debat kryesor, arrestimi i Emiljano Shullazit. Lubonja evidenton faktin se sistemi juridik që kemi formalisht të miratuar nuk funksion, sa kohë që institucionet e vërteta janë partitë që funksionojnë si dy banda.“…Është kollaj të thuash sot në opozitë se Edi Rama na e mori pushtetin duke bashkëpunuar me kriminelët, por edhe ai më naivi ka të drejtë të ngrejë pyetjen: Po mirë, more zotërinj, a nuk erdhët ju në pushtet me premtimin për të luftuar krimin dhe baronët e drogës? Përballë kësaj vërejtjeje dikush nga opozita më ka thënë: Po, por Edi Rama ka thyer çdo rekord. Nuk dua të justifikoj në asnjë mënyrë Edi Ramën, përkundrazi. Madje mund të them se është deri diku e vërtetë ajo që thonë mbështetës të Berishës se ai i përdorte kriminelët, por nuk ulej në tryeza të hante e pinte me ta, kurse Rama i ul në tryezë, i bën miq e shokë. Megjithatë nuk besoj se arritja e këtij rekordi i dedikohet thjesht karakterit të Ramës, paçka se përgjegjësitë e tij për thellimin e lidhjeve të PS me krimin janë të pafalshme. Ta reduktosh te përgjegjësia e një njeriu, qoftë ky Rama apo Berisha, apo Meta, lidhjen e politikës me krimin, do të thotë të mos kërkosh ta zgjidhësh problemin, por ta manipulosh atë. Nëse duam të analizojmë shkaqet pse krimi na ka hyrë në shtëpi me qëllimin e sinqertë për ta luftuar atë, duhet të kemi parasysh se faktori kryesor është ekonomia kriminale që kemi zhvilluar, që ka zhvilluar, si anë tjetër të medaljes, politikën kriminale. Sepse, për të mbrojtur dhe zhvilluar ekonominë e vet, krimi ka kapur institucionet nëpërmjet kapjes së partive dhe vice versa partitë në luftën për pushtet gjithnjë e më shumë i janë afruar krimit dhe kriminelëve, duke degjeneruar në banda në luftë me njëratjetrën për kontroll pushteti dhe territori”-shkruan Lubonja.